Sulmuesi brazilian Vinicius Jr do të humbasë ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Kilit dhe Perusë për shkak të një dëmtimi. Sulmuesi i Realit bëhet futbollisti i katërt që do të zëvendësohet te Seleçao për shkak të një dëmtimi.
Vinicius pësoi një lëndim në qafë gjatë fitores 2-0 të Real Madridit në “Bernnabeu” kundër Villarrealit. Vendin e tij te Brazili do ta marrë futbollisti i Fulham Andreas Pereira.
Mungesa e lojtarit të “Los Blancos” shton problemet për trajnerin Dorival Jr, ndërsa Brazili gjendet në vend të pestë në renditje në kualifikueset për Botërorin në Amerikën Latine me 10 pikë pas tetë ndeshjesh.
Të enjten verdhejeshilët do të ndeshen në Santiago me Kilin, ndërsa pesë ditë më vonë do të presin Perunë në shtëpi. Referuar rregullores, gjashtë skuadrat e para nga 10, kualifikohen drejtpërdrejt në Kupën e Botës.
Dorival Jr është detyruar që të thërrasë lojtarin e PSG Lucas Beraldo, Veverton e Palmeirasit dhe Alex Telles që luan te Botafogo për të zëvendësuar lojtarin e Juventusit Bremer, atë te Liverpulit Alisson dhe Guilherme Arana të Atletico Mineiros, të gjithë këta të dëmtuar.
Klan News