Dy shkolla nëntë vjeçare, një në kryeqytet dhe tjetra në rrethin e Matit rrezikojnë mbylljen pasi dyshohet se ka shpërthim epidemik të virusit pandemik A H1N1.
Specialistët e shëndetësisë konfirmojnë se ka qarkullim të gripit në popullatë.
Vetëm gjatë një ditë janë identifikuar 9 raste të reja duke e çuar në 54 numrin total të të prekurve.
Alban Ylli: “Dje janë izoluar 9 raste të reja në Shqipëri, kemi gjithashtu fakte dje pasdite, këtë mëngjes që virusi po qarkullon në formë grumbullimesh edhe në disa shkolla të vendit. Bëhet fjalë për një shkollë në Klos të Matit dhe një shkollë të Tiranës, atë ka pasur rreth 50 mungesa në shkollën prej rreth 320 nëse nuk gaboj nxënësish, kurse në një shkollë të Tiranës ka pasur mungesa të shpeshta në shkollë dhe ka pasur shumë vizita tek mjeku i shkollës në mënyrë të pazakontë. Për më tepër ne kemi të identifikuar një nga rastet me virus gripi të ri pandemik është pikërisht nga kjo.”
Sipas autoriteteve shëndetësore 90 % rasteve të gripit sezonal, janë të tipit H1N1.
Pëllumb Pipero: “Mbi 90 % e rasteve të gripit qarkullues jo vetëm tek ne, por edhe në vende tjera është H1N1. Pra pandemia e influencës linore është larg për të ardhur, përballë kemi H1N1 ndaj të cilit kemi marrë dhe po marrim të gjitha masat për ta përballuar.”
Specialistët e shëndetësisë garantojnë se ministria ka marrë të gjitha masat për të patur në kontroll situatën.
Por ata këshillojnë qytetarët që të marrin sa më shpejt vaksinën kundër gripit sezonal, e cila shërben dhe si masë parandaluese për gripin e derrit që pritet të përhapet me shpejtësi./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami