3 raste gripi të derrit janë zbuluar në Shqipëri. Analizat laboratorike kanë konfirmuar se tre marinarë të huaj, 2 filipinas dhe 1 rumun të cilët kanë qëndruar në vendin tonë për disa ditë dhe janë larguar para dy javësh janë të prekur nga virusi A H1N1. Autoritetet shëndetësore thonë se harta e të dyshuarave si të infektuar shtrihet në disa qytete.
Alban Ylli: “Nga spitali universitar i Tiranës, nga pediatria e Tiranës nga Vlora, Shkodra, Fieri, nga lagjet e Tiranës.”
Shtimi i rasteve nuk përbën më risi për autoritetet shëndetësore. Ata garantojnë se janë të gatshëm për të përballuar çdo situatë, por këshillojnë personat që ndiejnë simptoma të virusit që të vetë-izolohen.
Alban Ylli: “Janë pajisur spitalet rajonal me mjete mbrojtëse dhe me sasi minimale për këtë valë të parë të medikamenteve përkatëse. Ne kemi shpërndarë maska speciale për punonjësit e shëndetësisë, por gjithsesi ne nuk këshillojmë përdorim masiv të maskave në rrugë individëve. Nuk ka nevojë për kufizime të lëvizjeve të udhëtimeve, të stilit klasik të jetës. Me kusht që siç përmendet në të gjitha materialet tona informuese, individët e sëmurë që kanë shenja të ngjashme me gripin, sidomos temperaturë dhe kollë të vetë-izolohen. “
Specialistët e ISHP-së ripërsërisin se nuk ka vend për panik, pasi virusi e ka humbur violencën e tij vdekjeprurëse.”
Alban Ylli: “Fatmirësisht shumica dërrmuese e rasteve nuk kanë pasur nevojë as për kujdes shëndetësor. Një pjesë e vogël e tyre kanë pasur nevojë për kujdes shëndetësor dhe vetëm një numër shumë i vogël në kufijtë e 1 për mijë mund të ketë patur probleme serioze, komplikacione serioze përfshirë vdekjen.”
Për të informuar sa më mirë qytetarët për simptomat dhe mënyrën se si mund të ruhen nga prekja e virusit të gripit A H1N1, specialistët e Shëndetit Publik kanë nisur një fushatë me publikimin e posterave, fletëpalosjeve apo spoteve televizive. Shumë këshilla u adresohen fëmijëve.
Jeta Lakrori: “Në qoftë se ai ka një shok të sëmurë, të mos i shkojë atij për vizitë. Kur teshtinë apo kur kollitet ose të përdori shami ose mund të vërë thjesht atë krahun e vet, shaminë që përdor nuk duhet ta hedh vend e pa vend, por ta hedhin në një kosh, të mos pështynë fëmijët në tokë sepse dhe nga ajo përhapen, të ushqehen në mënyrë të shëndetshme, të mos qëndrojnë në ambiente të mbyllura.”
Higjiena vetjake duket si reagimi më efikas për të përballuar virus, i cili dita ditës po e zgjeron hartën e tij edhe në botë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami