Qeveria duket besimplote për të përfituar brenda vitit të parë të këtij mandati të ri qeveris vendimin për liberalizimin e vizave.

Besim që siç tha kryeministri Sali Berisha rrjedh nga logjika e plotësimit në kohë rekord të kritereve të nevojshme për këtë hap të rëndësishëm për vendin.

Fjalën e tij përpara deputeteve demokrate kryeministri e nisi me punën që po bën qeveria në përmbushjen e një prej detyrimeve kryesore të udhërrëfyesit për vizat, që ka të bëjë me dokumentet e identifikimit.

Shifra e qytetareve që kanë në dorë një pasaportë me të dhëna biometrike ka mbërritur në 180 mijë.

Sali Berisha: “Unë kam kënaqësinë, t’ju informoj ju se gjer tani aplikimet për pasaporta biometrike janë 231 mijë e 725, nga të cilat janë prodhuar dhe shpërndarë në rajonet e policisë 223 mijë e 545 dhe janë tërhequr nga shtetasit rreth 180 mijë. Qeveria që nga inaugurimi i saj e gjerë sot ka bërë përpjekjet më të mëdha se në çdo fushë tjetër që të plotësoj të gjitha kërkesat në njësi kohe rekord për të merituar këtë vendim dhe ne e marrim si një vendim që duhet ta meritojmë”.

Qeveria tha kryeministri po ecën me ritme të shpejta dhe në drejtim të përmbushjes së detyrimeve që kanë të bëjnë me menaxhimin e integruar të kufijve.

Një ndër masat më të rëndësishme që përmendi kryeministri Berisha është dhe vendosja në çdo pikë kufitare të sistemit të kamerave, për kufij më të sigurt.

Sali Berisha: “Janë marrë masa për të siguruar akses të drejtpërdrejtë të stacioneve të policisë dhe pikave të kalimit kufitar në bazën e të dhënave të Interpolit për pasaportat e humbura dhe të vjedhura. Ligji për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve shtetëror po zbatohet dhe po implementohet në çdo hallkë të tij. Është modernizuar tërësisht teknologjia e pikave të kalimit të kufirit me sistemin Teams dhe me Mex. Kanë ngelur gjithsej 5 pika të cilat do të instalohet gjatë këtyre ditëve siç janë Shishtaveci, Sopiku, Uripsi dhe Orgjosti. Do të vendoset një sistem kamerash për të kontrolluar të gjitha pikat e kufirit. Pra liria rritet, kontrolli forcohet. Përfundon qendra e mbyllur për të huajit me qëllim të pa ligjshëm. Unë nuk mund tu them se nga të gjitha kërkesat specifike që kanë lidhje me kalimin e kufirit të kontrollit të integruar të tyre, janë në plotësim e sipër përfundimtar brenda muajit Nëntor”.   

Kryeministri foli dhe për çështje të korrupsionit. Në këtë drejtim Berisha e cilësoi vendim historik shkurtimin drastik të kohës në dispozicion për marrjen e një leje ndërtimi.

Ligji i ri urbanistikës parashikon një procedurë vetëm 45 ditore nga 399 ditë që ishte më parë.

Duke zbardhur gjithë angazhimin e qeverisë mbi vizat kryeministri Sali Berisha, përfitoi nga rasti t’i bëjë sërish thirrje opozitës të kontribuoje në këtë proces.

Sali Berisha: “Kjo mazhorancë po ecën sigurt me trajtimin e saj më serioz të kërkesave për liberalizimin e vizave për shqiptarët në mbajtjen e premtimit të saj për një vendimmarrje brenda vitit të parë të këtij mandati. është edhe njëherë rasti për mua të ftoj opozitën të marrë rolin dhe misionin e saj në këtë proces historik. Sepse vërtetë realizimi i aktit të heqjes së vizave për shqiptarët dhe lëvizja e tyre në mbarë Evropën e bashkuar pa viza, është një arritje historike, jo vetëm kombëtare por dhe individuale për çdo qytetar shqiptar”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi