“Zgjedhjet e mira janë provë e rëndësishme për aplikimin si vend kandidat“.
Mesazhi ka qenë i qartë dhe për kreun e shtetit, Bamir Topi , i cili priti në mesditë në Pallatin e Brigadave kryetaren e delegacionit të parlamentin evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack.
Dy autoritetet shkëmbyen pikëpamje rreth reformës zgjedhore, zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe përmbushjes së standardeve të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.
Në emër të delegacionit të zgjeruar të parlamentit evropian, zonja Pack çmoi faktin e bërjes në kohë dhe aprovimit me konsensus të gjerë të një sërë reformash dhe ligjesh të rëndësishme si ai zgjedhor, apo reforma në drejtësi.
Kryetarja Doris Pack, ka nisur serinë e takimeve të saj në Shqipëri dhe me zv/kryeministrin Genc Pollo dhe Ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.
Gjatë takimit me Alibeajn, Pack u interesua për fenomenin e gjakmarrjes, sistemin e burgjeve dhe atë zgjedhor.
Eurodeputetja dhe anëtarë të tjerë të delegacionit që e shoqërojnë atë do të marrin pjesë në sesionin e 16-të ndërparlamentar Shqipëri-BE./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani