Vizita në Katar e kryeministrit Sali Berisha, ka hedhur bazat e një tjetër investimi të rëndësishëm që synon përfshirjen e kompanive të këtij vendi. Berisha ju referua rigazifikuesit të Fierit për të cilin siç tha Emiri dhe kryeministri i Katarit treguan interes të veçante. Katari shquan për burimet e pasura të naftës dhe gazit natyror që përdoren kryesisht për eksport.
Sali Berisha: “Ky projekt prej rreth 2.5 miliard euro, është një nga projektet më gjigande të rajonit dhe më gjerë. Unë me këtë rast ftova qeverinë e Katarit që mbi bazën e interesit komercial të marrë pjesë në këtë projekt si kundër ju kërkova që të garantojnë furnizimin me gaz të këtij projekti të madh në raste direkt nuk përfshihen”.
Por interesi i investitorëve të Katarit, vend që për nga standardet e jetesës krahasohet me Europën perëndimore është dhe turizmi.
Sali Berisha: “Një nga qëllimet kryesore të miat ishte këtu inkurajimi i biznesit të këtij vendi për të investuar në Shqipëri. Dihet që kompanitë të Katarit kanë blerë dhe po operojnë ose do të fillojnë së shpejti ndërtimin e resorteve të mëdha turistike në brigjet e Shqipërisë”.
Vizita në Katar, kryeministrit i ka shërbyer po aq të marrë garancitë e këtij vendi për të njohur pavarësinë e Kosovës. Autoritetet zyrtare e kanë garantuar kryetarin e qeverisë shqiptare se njohja është vetëm çështje kohe.
Sali Berisha: “Kryeministri më konfirmojë se i ka dërguar një letër kryeministrit Thaçi në të cilën parashtron qëndrimin e favorshëm të Katarit ndaj Kosovës. kështu që çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet është një çështje kohe jo e gjatë”.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Katar, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në Fondacionin e Katarit. Në takimin me Bordin Drejtues, kryeministri nënvizoi arritjet në fushën e arsimit dhe prioritetin që i ka dhënë qeveria zhvillimit të arsimit në Shqipëri.
Drejtuesit e fondacioni shprehen interes për bashkëpunim me Shqipërinë që pritet të konkretizohet me dhënien e disa bursave studimi Master pasuniversitare. Vizita e kryeministrit të Shqipërisë u pasqyrua gjerë në median vendase. pas intervistës për një nga rrjetet më të fuqishme televizive Al Xhazira, kryeministri dha një intervistë edhe për gazetën e njohur Gulf Time./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi