Vizita e Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, pati një jehonë të fortë dhe përmasë historike të cilësuar si të tillë nga faktorë politikë dhe shoqërisë civile, si në Serbi ashtu dhe Shqipëri.

Këshilltari politik i kreut të diplomacisë shqiptare, Luan Rama, zbardh arsyet e këtij vlerësimi, që sikundër thotë, nuk rrjedhin nga përqasja emocionale.

Duke e ndarë në dy etapa të rëndësishme vizitën, takimi me zyrtarët e Beogradit, e më pas me autoritetet e luginës së Preshevës, shoqëruar nga një pritje e jashtëzakonshme e popullsisë shqiptare atje, Rama thotë se kjo vizitë nënvizoi rolin si faktor stabiliteti të Shqipërisë në rajon.

Luan Rama: “Horizontit që çel dhe për shkak të të ardhmes që konturon në funksion të një roli gjithnjë e më aktiv dhe efektiv njëherësh të Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe si faktor integrimi në këtë rajon të Ballkanit nga njëra anë dhe nga ana tjetër bëhet historike kjo vizitë edhe për shkak se është vizita e parë që zhvillohet në një shtet që quhet tashmë Republika e Serbisë. Është vizita e parë që bëhet pasi Kosova është subjekt i së drejtës ndërkombëtare, pra është shtet i pavarur. Shqiptarët dhe serbët dhe kur them shqiptarët dhe serbët kam parasysh shqiptarët kudo ku ata jetojnë, mund të bëhen në këtë rajon të ngjashëm me modelin e francezëve dhe gjermanëve që kapërcyen mbi dhimbjet dhe plagët e luftërave dhjetëvjeçare, madje të luftërave në shekuj që kanë zhvilluar midis tyre për të krijuar sot në Evropën e bashkuar modelin e bashkëpunimit të dy vendeve dhe të bëhen bashkërisht promotorë të procesit evropianizues të rajonit”.

Por kjo vizitë u komentua me nota aspak pozitive nga faktorë politik në Shqipëri. Deputeti socialist Pandeli Majko e cilësoi atë të gabuar dhe në disfavor të çështjes së Kosovës. Mbi këto deklarata Luan Rama argumenton.

Luan Rama: “Prapë me Majkon do merremi? Cilido që do të gjejë mundësinë apo hapësirën për të bërë kritikë në këtë rast duhet të thotë në  çfarë ishte e gabuar vizita? Në çfarë ishin të gabuara mesazhet që u transmetuan nga kjo vizitë? Në çfarë nuk ju shërbye çështjes shqiptare në rajon? Unë mendoj të mos sjellim më në vëmendjen e publikut referenca individësh të tillë të pushtuar nga kriza e panikut, apo nga deliranca e xhelozisë, dmth. lëreni z.Majko të endet në tunelin e vet, sepse nuk mund të flasë për patriotizëm në këtë kontekst dhe në këtë realitet të ri europianizues të krijuar dhe në Ballkanin Perëndimor, një njeri që e thërrasin Majko, apo që kur ishte Kryeministër i Shqipërisë mburrej që fëmijët i pagëzonte në kishat e Athinës. Shenja e parë e patriotizmit që duhet të shfaqë z.Majko është nisja e procedurave për të ndryshuar mbiemrin, që shqiptarët të mos e thërrasin më Majko, apo edhe nisja e procedurave për të çregjistruare fëmijën që ka shuguruar, apo që ka pagëzuar në kishën e Athinës, sepse kisha Autoqefale Shqiptare është pjesë e korpusit të vlerave historike, qytetare, patriotike dhe gjithashtu evropiane të shoqërisë shqiptare./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi