Vizita në Tiranë e Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë Antonio Milososki shënoi nënshkrimin e dy protokolleve të bashkëpunimit midis dy ministrive të jashtme dhe dy akademive diplomatike në Ministrinë e Jashtme.
Meta-Milososki folën për rëndësinë e konsolidimit më tej të marrëdhënieve dypalëshe kryesisht ato ekonomike. Transporti, energjia do të jenë në fokus pa harruar këtu edhe korridorin e 8-të.
Ilir Meta: “Kemi konkludar se është shumë e rëndësishme, që Shqipëria dhe Maqedonia në bashkëpunim edhe me Bullgarinë dhe në mënyrë të veçantë me Italinë të intensifikojmë të gjitha përpjekjet për të gjallëruar projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin e korridorit të 8-të”.
Milososki u ndal në procesin e liberalizimit të vizave në përpjekjet e Maqedonisë që Shqipëria të përfitojë brenda 2010 nga regjimi pas viza me BE.
Antonio Milososki: “Mendoj që liberalizimi i vizave ishte një arritje e madhe për Maqedoninë. Ne do të punojmë dhe do t’u asistojmë kudo që të mundemi që liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë të bëhet i mundur gjatë vitit 2010”.
Si për të dëshmuar rëndësinë e marrëdhënieve dy paleshe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë e mbylli deklaratën e tij në gjuhën shqipe.
Antonio Milososki: “Maqedonia dhe Shqipëria janë vende fqinje dhe mike. Ne kemi të njëjtat sfida dhe të njëjtat aspirata”.
Për debatet që ka ngjallur mësimi i gjuhës maqedonase në shkollat shqipe Milososki tha, se do bëhet ç’është e mundur që këto debate të kanalizohen në rrugë institucionale. Ai e vlerësoi korrekte përfshirjen e partive politike shqiptare në këtë diskutim, gjithashtu Ministri i Jashtëm Ilir Meta vlerësoi rëndësinë e konsultimeve të gjëra që duhet të përfshijë diskutimi mbi çështjen e gjuhës.
Ministri Milososki u prit në takime të veçantë edhe nga Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi