Vizita e presidentit slloven Danilo Turk në vendin tonë është kurorëzuar me nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi, që parashikon ndërtimin e 6 impianteve energjetike në veri të Shqipërisë. Investimi kap vlerën e 150 milion eurove dhe do të rrisë në mënyrë të ndjeshme kapacitetin e instaluar të energjisë në kaskadën e Drinit.
Kjo marrëveshje është konsideruar nga presidenti Topi dhe homologu i tij gjatë qëndrimit të tyre në Durrës, rezultati i një fryme të re bashkëpunimi që ekziston mes dy vendeve.
Bamir Topi: “Shqipëria falë edhe mbështetjes edhe të shtetit slloven edhe të presidentit, pas disa ditësh do të jetë anëtar me të drejta të plota në NATO. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, një arritje e madhe politike, por nga ana tjetër ofron një siguri të jashtëzakonshme për investimet ekonomike.”
Danillo Turk: “Vizita e kryer në Tiranë e Durrës, dy qytete me histori si dhe qendra të mëdha të zhvillimit të Shqipërisë më kanë lënë një përshtypje të mrekullueshme. Ajo bëhet në momentin e ngritjes së një niveli të ri bashkëpunimi dypalësh, ne vlerësojmë hapat e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime të favorshme të zhvillimin e biznesit.”
Më herët në takimin me kryeministrin Berisha, presidenti slloven pati mundësinë të shprehë interesin e investitorëve të vendit të tij për projektin e gazsjellësit transadriatik dhe ndërtimin e një centrali rajonal të energjisë nukleare.
Nga ana e tij kryeministri Berisha shprehu angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për realizimin e këtyre dy projekteve të rëndësishme energjetike.
Presidenti slloven u takua dhe me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, ku u shpreh se Shqipëria e ka kaluar tranzicionin dhe po përjeton integrimin Euroatlantik duke patur mbështetjen e plotë dhe të Sllovenisë.
Duke shfrytëzuar 57-vjetorin e lindjes së presidentit slloven, kryebashkiaku i Tiranës e ka pritur atë me një surprizë të veçantë, duke i dhuruar një tortë të përgatitur enkas dhe çelësin e kryeqytetit./tvklan.al