Investimet dhe zhvillimi turistik i gjirit të Kakomesë mbeten peng i mosmarrëveshjeve mes banorëve dhe agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave.

Banorët e fshatit Nivicë nuk kanë pranuar ofertën më të fundit për t’u bërë aksionerë në fshatin turistik që kompania franceze, “Club Med” në bashkëpunim me operatorët turistikë shqiptarë kanë vendosur të ndërtojnë në bregdetin e jugut.

Ata kanë refuzuar përkohësisht negocimin e investitorët në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor që do të shfuqizojë ose jo vendimin e agjencisë së kthimit të pronave, i cili nuk i njeh ata si pronarë të ligjshëm të truallit.

Vladimir Kume: “Ne jemi në gjyq dhe mbasi të zgjidhet ligjërisht që ne të jemi pronarë të tokës së Kakomesë mund të negociojmë për të përfituar ato përqindje që na takojnë. Ne do të negociojmë dhe do të pranojmë ndërtimin e një infrastrukture turistike jo vetëm në Kakome, po kudo në bregdetin tonë ku ne të jemi pronarë. I gjithë mekanizimi është në dorë të qeverisë shqiptare dhe të drejtësisë shqiptare. Zgjidhjet kjo punë, ne bëhemi pronarë dhe Club Mediterrani lëshon flamurin e tij turistik në Kakome.”

Ndërkohë banorët e Nivicës thonë se do të shkojnë deri në gjykatën e Strazburgut nëse drejtësia shqiptare nuk do t’u japë të drejtë.

Konflikti që vazhdon prej kohësh për pronësinë e tokës në gjirin e Kakomesë është bërë pengesa kryesore për ardhjen në vendin tonë të investitorëve francezë, të cilët kanë parashikuar ndërtimin e një prej resorteve më të mëdha turistike në bregdetin jonian./tvklan.al