Ndarja nga jeta e yllit të One Direction, Liam Payne ka tronditur fansat dhe botën e muzikës. Me qindra mesazhe ngushëllimi i kanë shkuar familjes së tij. Fansat kanë lënë letra dhe shënime jashtë hotelit në Buenos Aires, Argjentinë nga i cili ra këngëtari.
Hoteli është ende i rrethuar nga kamerat dhe mediat. Familja e tij ka reaguar gjithashtu për humbjen tragjike:
“Jemi të pikëlluar. Liam do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona dhe do ta kujtojmë për shpirtin e tij të mirë, gazmor dhe guximtar. Po e mbështesim njëri-tjetrin sa më shumë mundemi si familje dhe kërkojmë hapësirë dhe privatësi në këtë moment të tmerrshëm”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë në rrjetet sociale është ripublikuar një video e vitit 2020 në të cilën Liam lexon një letër që ia ka dërguar vetes së tij 10-vjeçare.
“I dashur Liam 10-vjeçar,
Bëhu gati! Do të jetë pak e vështirë… Vlerëso çdo moment me të dashurit e tu tani sepse ka vetëm pak pushime familjare për të gëzuar, jeta do të bëhet surreale.
Ti e di gjënë që do, këndimin dhe kur të bësh 14 vjeç, diçka magjike do të ndodhë dhe s’e kam fjalën për pubertetin. Jo vetëm që do të bësh një audicion për një nga spektaklet më të mëdha muzikore në botë, por do të takosh edhe nënën e ardhshme të fëmijës tënd… E di që duket herët, por më beso që gjithçka do të shkojë siç duhet. Të sugjeroj të shohësh ‘Back to the Future’, mund të të ndihmojë.
Tani ti je i famshëm dhe të duket sikur ke arritur majat shumë shpejt more mendjemadh i vogël, por sapo ke filluar. Ule pak ritmin dhe mbaj mend që është maratonë e jo sprint.
Më lër të të them që ky nuk është as fillimi dhe për ca kohë do të duash të dorëzohesh, por mos e bëj sepse do të njohësh katër djem në të njëjtin rrugëtim si ti. Kur t’i takosh, në fillim do të jetë pak rrëmujë por thjesht kujtohu që të kënaqesh… Qëndro fëmijë në zemrën tënde sepse këtë kuptim ka kjo pikë e jetës tënde tani; fal më shumë dhe mëso të dëgjosh.
Do të kalosh kohërat më të bukura të jetës tënde, do të udhëtosh botën dhe do të jetosh një jetë që as e ke imagjinuar. Më pas do të mbarojë për ca kohë dhe ti do të mbetesh veç me timonin.
Do të duket e frikshme, sikur je vetëm, por nuk do të jesh. Do të nisësh një rrugëtim të ri me njeriun më të mrekullueshëm që ke njohur, djalin tënd Bear. Mos e dysho veten te të qenit baba, thjesht shiko gjërat që ke mësuar gjatë rrugës dhe kjo tregon që ke shumë për të dhënë.
Më pas këngëtari flet për fejesën, marrëdhëniet me fansat, Covid-19 dhe në fund ka një porosi për Liam-in e vogël: “Jepi mamit, babit dhe të gjithë familjes një përqafim të madh nga unë”./tvklan.al