Vllaznia mbajti kreun e renditjes në Kategorinë Superiore me 13 pikë, pasi fitoi 2 – 0 me Bylisin në takimin e luajtur të dielën në stadiumin “Loro Boriçi”.
Golat për skuadrën shkodrane u shënuan nga Stojanoviç dhe kapiteni Balaj në pjesën e dytë. Tek ekipi mallakastriot Ruçi gaboi te penalltia, pasi goditja e tij preku traversën.
3 fitore radhazi për Vllazninë që kënaq trajnerin Thomas Brdariç, por është vetëm fillimi i kampionatit.
“Asgjë nuk është e lehtë, duhet të jemi të vëmendshëm, të luajmë dhe të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë, të zbatojmë detyrat. Kemi luajtur gjashtë ndeshje dhe është vetëm fillimi”, tha Brdariç.
Për Emmanuel Egbo e Bylisit loja e mirë nuk ka sjellë pikët e mjaftueshme, por për të ka ende kohë për ta kthyer situatën.
“Pikët janë të rëndësishme në futboll, pasi për ato luhet që të fitosh një ndeshje. Kemi prodhuar lojë si ndeshjet e tjera, por rezultati na mungoi. Do të vazhdojmë të luftojmë, pasi kampionati është shumë i gjatë”, tha ai.
Egnatia u ndal në një barazim pa gola në fushën e Elbasanit edhe pse ishte një sfidë e luftuar. Skuadra nga Rrogozhina është sërish e dyta në kuotën e 11 pikëve.
Teuta – Dinamo përfundoi 1 – 1. Në takimin e luajtur në Durrës fillimisht shënuan miqtë me Zabërgja, ndërsa vendasit barazuan me Torrajn.
Këto ndeshje mbyllën javën e gjashtë të Superiores.
Tv Klan