Sezoni turistik i vitit 2024 në Vlorë shënoi një kombinim të avantazheve dhe disavantazheve, të cilat kanë nxjerrë në pah problematikat ekzistuese dhe kanë ndihmuar në qartësimin e lëvizjeve strategjike për të vijuar zhvillimin e këtij sektori.
Në këtë kontekst, operatorët turistikë dhe drejtuesit e subjekteve private po hartojnë plane afatgjata, që synojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar të turizmit gjatë gjithë vitit. Objektivi kryesor është shndërrimi i Vlorës në një destinacion elite me një turizëm të shpërndarë gjatë 12 muajve të vitit.
Ervin Sota, operator turistik: Vlora është në nivelet mbi 70% një ekonomi që varet nga turizmi. Bizneset janë të angazhuara të japin maksimumin e kualitetit dhe shërbimit.
Ndërsa mungesa e fuqisë punëtore në këtë sektor është një problem i njohur, ka filluar gara për të rekrutuar staf për sezonin e ardhshëm.
Ervin Sota, operator turistik: Janë fokusuar së fundmi kryesisht tek stafet profesionale, të cilat edhe rrogat i kanë shumë të larta. Janë fokusuar edhe tek ana alternative si përshembull punonjësit filipinez.
Investimet strategjike që po realizohen në rajon, si ndërtimi i aeroportit të Vlorës dhe investimi i shumëpërfolur në ishullin e Sazanit, pritet të sjellin një standard të ri të turizmit.
Ervin Sota, operator turistik: Tashmë të gjitha rrugët të çojnë në Vlorë.
Në pesë vitet e fundit, turizmi në Vlorë është zhvilluar me ritme të shpejta, duke u bërë një nga sektorët më të rëndësishëm që i gjeneron qytetit të ardhura më shumë se çdo sektor tjetër.
Tv Klan