Është zbardhur nga Policia vjedhja e kasafortës së një biznesi në Sauk para 4 ditësh. Në pranga kanë përfunduar 3 autorët, banues në Elbasan. Ndërkohë në kërkim është një tjetër.
Blutë kanë bërë publike pamjet e momentit kur ata futen brenda një zyre përmes dritares, kontrollojnë me imtësi, marrin kasafortën me 4 mijë euro e 100 mijë lekë dhe largohen me një automjet. Mësohet se kasaforta është gjetur e hedhur në lumin Shkumbin.
Siç bën me dije gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, të arrestuarit janë Bashkim Sollaku, Endri Kolaci dhe Albert Çela.
“Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, vjedhja e kasafortës së një biznesi në Sauk, më datë 01.03.2024. Identifikohen dhe vihen në pranga pas një ndjekje intensive nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, tre autorët e dyshuar. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Sekuestrohen kasaforta e vjedhur, e cila u gjet në lumin Shkumbin, 5 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e vjedhur. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetas, se shtetas të paidentifikuar i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në biznesin e tij, në Sauk, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, menjëherë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “River”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me DVP Elbasan, u bë arrestimi i shtetasve: – B. S., 53 vjeç, E. K., 37 vjeç dhe A. Ç., 40 vjeç, të tre banues në Elbasan. Gjithashtu, po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e shtetasit E. Gj., 27 vjeç. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 01.03.2024, kanë vjedhur në një biznes në Sauk, një kasafortë me 4000€ dhe 100 000 lekë, dhe më pas, kasafortën e kanë hedhur në lumin Shkumbin, në Elbasan. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kasaforta e vjedhur, e cila u gjet në lumin Shkumbin, 5 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e vjedhur”, thotë Policia për rastin./tvklan.al