Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ka kërkuar që të punohet edhe më shumë që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese që ka vendosur ndaj Kosovës. Ka përshëndetur vendimin e qeverisë për hapjen e kufirit për qarkullimin e mallrave serbë në pikëkalimin kufitar në Merdare.

“Duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime.”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me zyrtaren e lartë evripiane i ka quajtur të padrejta masat e BE-së ndaj Kosovës. Osmani tha se këto masa po ndikojnë edhe në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku Kosova nuk është palë e barabartë në këto bisedime.

Von der Leyen përgëzoi Kosovën në punën që ka bërë në axhendën e reformave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, duke thënë se deri para përfundimit të vitit, Kosova do të përfitojë 60 milionë Euro nga kjo paketë.

Osmani tha se ky plan do të ketë ndikim në zhvillimin socio-ekonomik, në hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe do të ndihmojë shtetin në rrugën drejt integrimit evropian.

Zyrtarja e lartë evropiane tha se gjatë mandatit të dytë në krye të KE-së, zgjerimi i BE-së do të mbetet top-prioritet i saj duke shfaqur dëshirën që në të ardhmen, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e bllokut evropian. Von der layen ka zhvilluar takim edhe me Kryeministrin Albin Kurti.

Zyrtarja e lartë evropiane qëndroi në Kosovë, në kuadër të turneut të saj ballkanik që e ka nisur në Shqipëri më 23 Tetor, ndërsa po e përufndon në Mal të Zi.

Tv Klan