Refuzimin e mazhorancës për të mos lejuar emigrantët shqiptarë që të votojnë me dokumenta biometrike të vendeve ku ata jetojnë, Sali Berisha e sheh si një vendim absurd, pas të cilit thotë se fshihet frika që socialistët kanë nga “ndëshkimi” më 11 Maj i diasporës. Ndaj dhe prerazi tha se opozita nuk do të votojë ndryshimet në kodin elektoral nëse nuk plotësohet kjo kërkesë e saj.
“Ne jemi dakord të votojmë gjithçka, por jo kurrë nëse nuk lejohen dokumentat biometrikë të vendeve ku ata jetojnë.”
Përpara delegatëve të Tiranës kërkoi bërjen e listës të të gjithë emigrantëve, ndërsa disporën e ftoi të ngritet në protesta. “Të bëhen gati për protestat më të fuqishme para ambasadat të narko-shtetit në të gjitha vendet e Europës dhe botës sepse kjo është një përpjekje flagrante për të penguar votimin e tyre.“
Me ardhjen e Presidentit Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë tha se merr fund agresioni ndaj opozitave konservatore, ndaj George Sorosin e paralajmëroi që të largojë fondacionin nga Tirana përpara zgjedhjeve.
“Sot ishte me Aleksis Soros, po foton e tij nuk e kishte publikuar, Aleksis po, Rama jo. Unë shfrytëzoj këtë rast t’i kërkoj publikisht Aleksis Soros të konsiderojë mbylljen e Fondacionit të Hapur në Tiranë për veprimtarinë e tij anti-opozitë dhe ta garantoj se një nga dekretet e para të Sali Berishës do jetë mbyllja e tij pas zgjedhjeve të 11 majit.”
Sërish u mor me kundërshtarët në selinë rozë, duke ‘shigjetuar’ Kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj.
“I plagosur për vdekje politikisht, numri 2 i kësaj partie, sillet si kufomë politikë në Europë dhe SHBA, hapi fjalë dhe jo vetëm hapi fjalë ç’është e vërtetë, por u morën edhe bileta 150 mijë euro, por përfundoi diku, në asnjë nga këto ballot kryesore, përfundoi në një festë me ndihmën e personit të vetëm që njoh unë dhe që është tradhtar i kombit grek dhe kombit shqiptar dhe që quhet Vangjel Tavo.”
Berisha e paralajmëroi Kryeministrin se do të publikojë ditët në vijim fakte të reja që sipas tij implikojnë vëllain e kreut të qeverisë me laboratorin e Xibrakës.
Ai premtoi se në 100 ditët e para të qeverisë së tij, Partia Demokratike do të vërë në zbatim planin për rimëkëmbjen e konomike. Sakaq, në nisje të procesit të Primareve nga ku do dalin kandidatët për deputetë të selisë blu, të gjithë krerët e degëve janë njoftuar që nëse duan të jenë pjesë e garës, duhet të heqin dorë nga detyra që kanë.
Tv Klan