Vota e diasporës ndezi debatet në seancën e dytë të Kuvendit për këtë sesion të fundit, para zgjedhjeve të 11 Majit.
Kryetari i PD-së Sali Berisha kërkoi miratimin e amendamentit të propozuar prej opozitës për të lejuar që shqiptarët të votojnë dokumente biometrike të shtetit ku jetojnë. Ai paralajmëroi protesta para ambasadave.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla hodhi poshtë pretendimet e Berishës dhe opozitës, duke i cilësuar alibi për humbjen në zgjedhjet e 11 Majit.
“Mos u gënjeni nga njëri që ka 30 vjet që gënjen. Është e paligjshme të regjistrohesh me një dokument të një vendi tjetër. Nuk e bën asnjë vend. KQZ ka bërë një punë të shkëlqyer dhe ka qenë shumë liberal në këtë pjesë. Ka lehtësuar mundësinë e regjistrimit të pjesës tjetër të familjes. Ju vetëm lëmsh bëni. Ju jeni kundër votës së diasporës. Doni të bllokoni dy elementë kryesorë. Nuk ka asnjë alibi që ju rezultatin e 11 Majit do e keni humbjen më të thellë që as ajo e 1997 nuk do ju duket aq e thellë. Frika ju ka karakterizuar kaq vite. Keni frikë që Celibashi do ju vjedhi, bujrum t’i numërojnë çdo përfaqësues partiakë”.
Të papranueshëm e cilësoi propozimin e PD edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së Niko Peleshi.
“Të pranosh një proces votimi pa asnjë mjet identifikimi është e papranueshme, ose është sebep për ta hedhur në erë këtë proces”.
Në këtë seancë, Sali Berisha kërkoi futjen me urgjencë në agjendën e Kuvendit të nismës së demokratëve për krijimin e komisionit të së vërtetës, duke akuzuar si përdorues të pajisjeve Sky” dhe “Enchro Chat” jo vetëm Kryeministrin Rama.
Nëse nuk do të ketë transparencë nga ana e Kuvendit, kryedemokrati paralajmëroi se do të publikojë çdo të dhënë që disponon.
Mazhoranca dhe opozita u përfshinë në replika edhe lidhur me kalendarin e punimeve.
Klan News