#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Iris Luarasi, Fatjona Mejdini, Agron Gjekmarkaj, Dashamir Shehi, Baton Haxhiu, Mark Marku

Tre ditë më parë, ish-kryeministri Arben Ahmtaj ka dhënë një intervistë të gjatë për “Syri Tv” ku ka hedhur akuza ndaj mazhorancës. Arben Ahmetaj është në kërkim nga SPAK dhe kërkohet për deklarim të rremë të pasurisë, fshehje të pasurisë dhe vepra të tjera. Ai ka vendosur të qëndrojë në Zvicër ku ka aplikuar për azil politik. Kjo intervistë kishte tre shënjestra kryesore: kryeminstrin Rama, zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe kreun e SPAK. Dy të parët duke folur drejtpërdrejt si bashkëpunëtor i tyre, duke deklaruar çfarë kishin bërë ndërsa personin e tretë, duke i hedhur dorashkën e sfidë për t’i treguar se ajo që SPAK-u ka bërë me të duket se nuk e bën dot me të tjerët. Arben Ahmetaj nuk pranon asnjë fajësi për veten, nuk është një rrëfim dhe pendesë ku mund ta quante veten bashkëpunëtor, por deklaron se ka qenë brenda një kurthi dhe ka respektuar ligjin, ndërsa të tjerët kanë abuzuar. Çfarë po sjellin në Partinë Socialiste këto akuza të Ahmetajt? Si shpjegohet që disa nga krerët kryesorë të Partisë Socialiste janë përfshirë në një debat mes tyre? Tre figurat kryesore të PS, ku në pjesën informale ka diskutime të mëdha se janë duke luftuar midis njëri-tjetrit (Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku). Duket e gjitha një lloj intrige e brendshme brenda PS në përmasa shumë herë më të mëdha se ç’është parë në 30 vjet.

“Ahmetaj është eksponent i Berishës në Zvicër”, Haxhiu: Po luan rolin e zarit të kryedemokratit

Analisti Baton Haxhiu thotë se ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj (tashmë në kërkim) po luan rolin e zarit të Berishës teksa shton se është eksponent i kryedemokratit në Zvicër. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Haxhiu shprehet se sipas tij, Ahmetaj është një njeri i zhgënjyer dhe me faje, kontradiktor dhe i mllefosur dhe sipas tij, intervistat e tij janë kontradiktore.

Baton Haxhiu: Ajo që pashë dhe dëgjova në intervistën e Arben Ahmetaj: Ky është një njeri që po kërkon një azil ose ka pretendim që të jetë azilant dhe pretendon se është i rrezikuar. Në të njëjtën kohë po luan rolin e zarit të Berishës dhe është eksponent i Sali Berishës në Zvicër. Në secilën qeveri ka eksponentë politikë që janë edhe të korruptuar. Unë mund të them, Edi Rama e ka një vizion për Shqoipërinë dhe ai vizion është një prej më të mirëve që Shqipëria ka pasur. Brenda këtij vizioni politik, ky vizion ka korrupsion brenda.

Për Arben Ahmetaj, po flasim për një njeri të zhgënjyer, një njeri me faje që kanë nisur në vitin 2013 dhe janë në publik në 2017. Nëse ju kujtohen konferencat për shtyp të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës kur PS merr pushtetin si e vetme. LSI ka qenë brenda projektit të inceneratorit, beteja ka filluar atëherë dhe pastaj ka derivuar ku jemi sot. Është shumë kontradiktor, i mllefosur. Më së pari, është njeri që do ta amnistojë veten dhe në secilën e gjen një hapësirë për të amnistruar dikë tjetër dhe për të rrënuar dikë tjetër. Ai amnistoi Veliajn dhe u koncentua në akuzën ndaj Ballukut.

“Nuk mendoj që Ahmetaj është një shenjtor”, Gjekmarkaj: Akuzat e tij nxjerrin në pah tre probleme të mëdha…

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka dhënë një intervistë ku ka hedhur akuza ndaj mazhorancës.

Lidhur me këto akuza në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan është i ftuar edhe deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj i cili shprehet se sipas tij, Arben Ahmetaj nuk është një shenjtor dhe akuzat e opozitës ndaj tij ndër vite kanë qenë të drejta.

Gjekmarkaj ndër të tjera shprehet se janë tre probleme kryesore që shtrohen nga këto akuza dhe deklarime që ka bërë Arben Ahmetaj.

Agron Gjekmarkaj: Unë mendoj që nuk është problem i shqiptarëve sot dhe i Shqipërisë nëse është njeri i mirë apo i keq Arben Ahmetaj, nëse është shenjtor apo djall. Çështja është që çfarë ai thotë, dëshmia që ai le, autopsia që i bën kohës ku ka qenë dëshmitar apo pjesëmarrës. Sigurisht unë nuk mendoj që është shenjtor Arben Ahmetaj, unë kam qëndrimet e mia, mendoj që ka qenë një njeri tipik arivist në politik, por është e drejta e gjithësecilit ta bëjë politikën siç do vetë. Opozita e ka akuzuar për shumë vite me akuza të drejta dhe nëse ai nuk do të kishte qenë njëri prej tyre nuk do të kishte mundësi që të na rrëfente këto gjëra.

Sigurisht që ajo që Ahmetaj thotë ju keni renditur aty 15 akuza, për mua shtrojnë tre probleme të mëdha si qytetar i këtij vendi. Shtrojnë problemin etik të kësaj qeverisje. A kemi një lukuni me vese që e qeveris këtë vend apo kemi një grup politik që udhëhiqet nga arsyeja për ta drejtuar politikisht këtë vend, por mendoj që kjo teza e dytë ka rënë 12 herë në këto 12 vite.

Pika tjetër është çështja politike. Cilët janë njerëzit politik që ka promovuar dhe ka Edi Rama dhe ka përgjegjësi për të gjithë këto për Arben Ahmetajn, Erion Veliajn, Saimir Tahirin. Një lider i cili i shet ata i marketon si ministra si figura publike ka edhe përgjegjësinë politike.

E treta është çështja juridike. Unë mendoj që duke qenë objekt i SPAK, SPAK nuk duhet të kompleksohet. SPAK ka detyrimin që të hetojë për tunelin e Llogarasë, akuzat ndaj Belinda Ballukut, Edi Ramës për presion ndaj Erion Veliajt, për udhëtimet me charter dhe biznesmenë që kanë marrë troje në Tiranë, akuzat për resortet. Pra ai ka dhënë një dëshmi. E fundit ajo që tha Batoni për kanabizimin fakti është që doli siç tha zotëria në intervistë pavarësisht se si është bërë biseda atje brenda është skenar letrar apo jo, por e vërteta është kjo që Lazarati u mbyll e gjithë Shqipëri u kanabizua dhe dy tre avion u rrëzuan duke marrë kanabis në Shqipëri.

Çfarë qëndron nga akuzat e Ahmetaj? Haxhiu nuk ngurron të përgjigjet

Intervistat e Arben Ahmetaj nga arratia ku ka lëshuar akuza të forta ndaj eksponentëve të Partisë Socialiste, për analistin Baton Haxhiu nuk janë etike.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Haxhiu thotë se në akuzat e Ahmetajt qëndron vetëm intriga dhe spiunimi.

Atë që cilëson si më të rëndën nga deklarata e ish-zv.kryeministrit është kërkesa për burgosjen e ish-kolegëve të tij, gjë për të cilën analisti thotë se është jo njerëzore.

Baton Haxhiu: Shikojeni ku është e rëndë kur thotë “protestat i paguan Belinda Balluku”. Më së pari. Sa herë që ai flet thotë jam i rrezikuar dhe të nesërmen ke konferencën për shtyp të Berishës.

Blendi Fevziu: Tani Baton të jemi të ndershëm. Nuk ulesh dot në kafe me ndonjë njeri afër PS-së se thotë “ky lufton këtë, kjo paguan këtë, ky paguan kundër saj”. Gjithë PS-ja jeton me idenë që secili nxjerr thikën me ja futë tjetrit.

Baton Haxhiu: Kjo është temë tjetër.

Blendi Fevziu: Çfarë qëndron nga akuzat e Ahmetaj?

Baton HaxhiuIntriga dhe spiunimi. Mbartja e dokumentacioneve nëpër ambasada kundër njëri-tjetrit. Kjo është vetëshkatërrim. Ai e pranon dhe bëhet krenar për të marrë azil. Shumë pa karakter duhet me qenë me folë ashtu dhe për të krijuar atë atmosferë që mbart njëfarë përplasje në Tiranë nga Zvicra. Ajo që ishte më e rënda, ai kërkon burgosjen e kolegëve të tij, 6 që i përmendi me emra. Si mundet një njeri që thotë “burgosni ata se edhe ata janë sikur unë”, kurse për veten thotë “unë nuk jam fajtor”. Tmerr. Kjo është jo njerëzore. Nuk ka etikë brenda rrëfimit të tij.

Dash Shehi për Arben Ahmetajn: Është shkurre që nuk lë gropë, Rama po i përdor

Akuzat publike të bëra nga ish-zv/Kryeministri Arben Ahmetaj në adresë të Kryeministrit Edi Rama dhe zv/Kryeministres Belinda Balluku, kanë rihapur debatin për zhvillimet brenda Partisë Socialiste.

Emisioni Opinion në Tv Klan ka diskutuar mbi këto akuza të Ahmetajt.

Deputeti Dashamir Shehi, i ftuar në emision, është shprehur se politikanë si Arben Ahmetaj por edhe të tjerë, janë persona që mund të komandohen nga Kryeministri dhe të korruptueshëm.

“Po t’i shikosh këta 3 emra që keni vendosur ju, çfarë janë? Çfarë ishin përpara? Asnjë gjë! Nëpunësa të vegjël. Këta ky i ka zgjedhur me dorë. Pse? Se i binden. Midis tyre edhe ky Ahmetaj, edhe ca Ahmetaj të tjerë që janë aty në Parlament, edhe ata që kanë ikur dhe ata që po vijnë. Shefi i madh, autokrati, çfarë zgjedh? Zgjedh njerëz pa vlerë, njerëz të korruptueshëm, sepse shqiptari është mësuar të qeverisë me anën e dobët të njerëzve, jo me anën e mirë. Edhe i vendos në pushtet, këta i komandon ti. Kanë dhe një avantazh tjetër këta. Kur t’i shkuli shefi, siç ka shkulur këtë (Ahmetajn) dhe do t’i shkuli dhe këta të tjerët, këta nuk lënë gropë sepse nuk janë pemë, janë një shkurre e vogël, i heq dhe i hedh. Dhe nuk prishin punë këta. Historia e PS, edhe e PD, është e mbushur me histori të tilla”, u shpreh Dashamir Shehi.

Thirrje për aleanca dhe akuza, Mejdini: Ahmetaj po mundohet të krijojë një pol brenda PS

Fatjona Mejdini mendon se Arben Ahmetaj nuk është aspak një i penduar dhe akuzat nuk po i drejton te drejtësia duke u bërë bashkëpunëtor i saj. Duke analizuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan rrëfimin e  fundit të ish-zëvendëskryeministrit, gazetarja thotë se qëllimi i tij është të krijojë aleatë dhe të minojë nga brenda Partinë Socialiste. Metoda që ai po zgjedh është duke krijuar ndarje brenda saj dhe pakënaqësi ndaj liderit Edi Rama.

Fatjona Mejdini: Ai po bën një diversion brenda mazhorancës, po bën thirrje dhe po kërkon të krijojë aleatë. Unë  mendoj që disa aleatë, njerëz të nivelit të dytë që mund të japin informacion, ai i ka dhe është si një pikë denoncimi. E gjithë retorika e tij është që Rama e ka marrë pushtetin nga socialistët e thjeshtë dhe e ka çuar atë te grupet kriminale.

Blendi Fevziu: Ai tha që krimi sot është sindikatë në Shqipëri, pra është një sindikatë e krimit që nuk lufton njëri-tjetrin por mbështesin dhe ndihmojnë njëri-tjetrin.

Fatjona Mejdini: Diversioni që ai po bën brenda mazhorancës është fakti që disa Rama zgjedh t’i mbrojë,   disa zgjedh të mos i mbrojë, pra nesër ju mund të jeni kokat e turkut.

Blendi Fevziu: Disa ua lëshon SPAK-ut, disa i mban.

Fatjona Mejdini: Ai bëri thirrje, mbrojti Saimir Tahirin, Damian Gjiknurin, në fakt është hera e dytë që po  e bën këtë thirrje. Ai ka dijeni që ka pakënaqësi mes tyre. Ndryshoi kursin për Erion Veliajn duke shpallur solidaritet, më parë thoshte që ai është përgjegjës me Edi Ramën për inceneratorin e Tiranës. Dukshëm është një intervistë në një periudhë parazgjedhore dhe fare mirë ai po kërkon të krijojë një lloj poli brenda socialistëve sepse e kupton shumë mirë faktin që sot socialistëve shkatërrimi mund t’u vijë vetëm nga brenda, duke parë edhe opozitën e cila është e dobët. Pikërisht këtë po kërkon ai të bëjë nga pikëpamja politike, po mundohet të krijojë fraksione dhe duke krijuar sa më shumë pakënaqësi ndaj liderit.

Mejdini shton se nga deklaratat e Ahmetajt, lideri i opozitës Sali Berisha përfiton në mënyrë indirekte. Ajo thekson se akuzat janë serioze dhe pavarësisht qëllimit të tij, prokuroria duhet t’i hetojë. E pyetur se cilat i duken më të rënda, Mejdini nuk përjashtoi asnjërën por evidentoi stilin e zgjedhur kësaj here nga ish-zëvendëskryeministri.

Fatjona Mejdini: Të gjitha janë të rënda. Flasin për një lloj stili për jetesën e Edi Ramës, një lloj stili të ndryshëm nga ajo që Rama përpiqet ta paraqesë veten në publik. Ky njeriu që shkon në qendra të kushtueshme detoksi, ky njeriu që pranon mbi 20 mijë euro bileta për të ndjekur ndeshjet e basketbollit, që hap shampanja e verë me çmime të tilla. Po i jep pak a shumë Ramës rolin e këtij sulltanit që është autoritar dhe bën çfarë të dojë. Bën udhëtime me charter, çon kompanitë me aksione të qeverisë shqiptare në falimentim dhe ka akuza që janë sistematike, të sistemit. Tendera, abuzime, 15 milionë euro, 50  milionë euro.

“Ai po mundohet të krijojë një lloj lobi kundër Edi Ramës”, përfundoi gazetarja.

“Nuk pashë ndonjë fakt”, Luarasi për akuzat e Ahmetajt: Konflikti i interesit e bën të pabesueshëm…

Analistja Iris Luarasi është shprehur se në akuzat e bëra nga ish-zv.Kryeministri Arben Ahmetaj ndaj qeverisë nuk ka parë ndonjë fakt konkret.

E ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Luarasi u shpreh se janë disa elemente që e bëjnë të pabesueshëm Ahmetajn në deklaratat e tij. Sipas saj një nga arsyet është konflikti i interesit, pasi ai është në një proces për azil politik në Zvicër dhe përmes këtyre akuzave po mundohet të mbushë dosjen që t’i tregojë qeverisë zvicerane që ai është një njeri në rrezik.

Iris Luarasi: Sa herë që ka akuza unë mendoj që sigurisht do të ishte mirë që prokuroria do të ishte mirë që t’i hetonte, dhe në këtë rast jo prokuroria e zakonshme, por po flasim për SPAK, por që të niset një hetim duhet të akuzat të jenë serioze të kenë substancë dhe të kenë edhe fakte për më tepër. Unë nuk pashë ndonjë fakt. Është ajo që tha edhe Batoni që në atë intervistë që dha nuk pamë një letër në kamera. Ky emision bëhet me montazh dhe mund të përdorësh montazhin për të treguar faktet që kishte me të vërtetë zoti Ahmetaj. Ne dëgjuam narativën e zotit Ahmetaj, por fakte me sytë tanë nuk pamë.

Gjëja tjetër që e bën të pabesueshëm zotin Ahmetaj është pjesa e konfliktit të interesit që ai ka. Konflikt interesi sepse zoti Ahmetaj është në një proces aplikimi për një azil politik e gjitha kjo në favor të procesit të tij dhe që sigurisht ndihmon edhe palën tjetër që është opozita dhe sigurisht minon edhe pushtetin e Ramës. Kështu që një person që është në këtë proces konflikti interesi do ta besoja më shumë në momentin që e kishte fituar azilin politik dhe pastaj del edhe i bën këto akuza. Kjo më duket përpjekje e tij për të mbushur dosjen dhe për t’i treguar qeverisë zvicerane që ai është një njeri në rrezik.

Një element tjetër pse më duket i pabesueshëm, një njeri që e përdor fjalën ‘më ka lënë kujtesa’, ‘nuk më ka ardhur ende kujtesa’. Ku është fakti dhe besueshmëri dhe çfarë duhet të marri si provë SPAK për të nisur një hetim që vjen nga dëshmia e zotit Ahmetaj.

Ndër të tjera Luarasi u shpreh se ajo do t’a besonte Ahmetajn vetëm nëse ai do të bëhej një dëshmitar i drejtësisë.

“Elementi tjetër nëse do ta besoja vërtetë zotin Ahmetaj do ta besoja nëse ai do të bëhej një dëshmitar i drejtësisë. Kjo do të ishte momenti që e para kjo kërkon që të keshë fakte konkrete që të nisësh hetime”, u shpreh ndër të tjera Luarasi.

Deklaratat e Ahmetajt/ Marku: Shantazh ndaj Ramës, grupit të tij dhe drejtësisë

Analisti Mark Marku i cilëson deklaratat e ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia si një shantazh ndaj Kryeministrit Rama, grupit të PS-së, si dhe drejtësisë. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Marku thotë se Ahmetaj po bën shantazh për gjetur zgjidhje për situatën e tij.

Mark Marku: Një pjesë të mirë të gjërave ne i dinim. Në një vend që problemin kryesor ka korrupsionin, çdo akuzë nuk të befason, vetëm ta konkretizon faktin që ka korrupsion. Në 3 intervistat që Ahmetaj po bën është statusi i tij qeverisës. Jep këto të dhëna për mënyrë si është qeverisur. Kjo e bën me interes atë që thotë ai për aktet korruptive.

Do të ishte mirë sikur të ishte denoncim, edhe më mirë sikur të ishte i penduar. Por mënyra si e thotë Ahmetaj është më tepër shantazh se sa denoncim i pastër. Shantazh ndaj Ramës, ndaj grupit të tij, ndaj drejtësisë. Ai thotë se “kjo është por unë kam gjëra të tjera që do i them më vonë”. Është një njeri i kërkuar nga policia, i arratisur, i ka ikur drejtësisë dhe bën shantazh për gjetur zgjidhje për situatën e tij.

Marku shprehet se më shqetësuese se korrupsioni është mënyra se si shoqëria dhe pushteti reagon ndaj këtij fenomeni.

Mark Marku: Për mua është shumë shqetësuese më shumë se korrupsioni, mënyra se si shoqëria dhe pushteti reagon ndaj korrupsionit. Këtu është krijuar një filozofi se korrupsioni është e vetmja mënyra e ekzistencës së shqiptarëve dhe është shumë e vështirë ta ndryshojmë sepse bëhet mentalitet pastaj.

“Po projektojnë lider të ri”, Baton Haxhiu tregon ç’po ndodh në PS: Mëkati i Ramës është…

A ka një luftë të brendshme brenda Partisë Socialiste? Kjo është pyetja që ngrihet pas akuzave të bëra nga arratia nga ish-zv/Kryeministri Arben Ahmetaj, i cili sulmoi ish-kolegë të tij socialistë, përfshirë Kryeministrin Edi Rama dhe zv/Kryeministren Belinda Balluku.

Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, thotë se brenda Partisë Socialiste ka pasur diskutime për të projektuar një lider të ri të partisë.

Mirëpo, sipas Baton Haxhiut, Kryeministri Rama ka një mëkat.

Blendi Fevziu: Çfarë po ndodh brenda PS-së?

Baton Haxhiu: Historia e protagonizmit brenda PS nuk është e nivelit të nënshtrimit që thotë Dashi. Megjithatë, ka pasur projeksione dhe ka projeksione për një lidership të ri për arsye se ata nuk e konkurrojnë Ramën se janë të paaftë për të bërë atë punë, me diskurs, me veprime, me orë pune, me kreativitet. Një gjeneratë e re e cila nuk ka pasur figura politike të rëndësishme përveç Gramoz Ruçit, të tjerët janë kot, kjo gjeneratë janë më të aftë se ajo që ka qenë më herët, por nuk janë figura politike. Rama ka projektuar një qeverisje me njerëz të shkolluar dhe me gra. Ajo që në këtë 12-vjeçar të qeverisjes nuk arriti Rama, është se nuk i largoi as gratë as njerëz të shkolluar nga aftësia për t’u korruptuar. Kjo është mëkati. Cili është mëkati tjetër? Duke qenë figurë e fortë Rama, ata e projektonin veten se kush është njeriu i dytë i cili do ta zëvendësojë atë. Prandaj ka qenë kjo betejë dikur edhe me Saimir Tahirin, i cili ka qenë një eksponent politik i artikuluar bukur dhe luftarak. Pastaj një eksponent tjetër që ka qenë, se tani nuk është më, Erion Veliaj. Pastaj dhe eksponentë të tjerë të cilët kanë dëshirë për faktin se Ramës po i vjen fundi i qeverisjes. Dhe pse Balluku erdhi tani? Dhe pse është figurë e tillë? Për arsye se gjithë këta të tjerët kanë dalë jashtë asaj kornizës të PS dhe kanë funksionuar si liderë brenda feudit të tyre.

Blendi Fevziu: Ti mendon që ata e mendojnë që Rama mund të iki?

Baton Haxhiu: Natyrisht që e mendojnë.

Blendi Fevziu: Unë mendoj që ata kanë frikë dhe ta mendojnë këtë.

Baton Haxhiu: Është legjitime ta bëjnë atë.

Gazetarja: Arben Ahmetaj ka paguar 150 mijë Euro për lobim në Amerikë

Gazetarja Fetjona Mejdini ka deklaruar se ish-zv/Kryeministri Arben Ahmetaj ka paguar 150 mijë Euro për të lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me çështjet e tij penale në Shqipëri, të cilat i konsideron si përndjekje politike.

E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, gazetarja Mejdini, duke komentuar akuzat publike të ish-zv/Kryeministrit në një emision televiziv, tha se pagesa është bërë nga Arben Ahmetaj dhe bashkëshortja e tij tek në kompani lobimi në SHBA me pretendimin për të rikalibruar Reformën në Drejtësi, pasi akuzat e SPAK ndaj tyre i konsiderojnë të padrejta.

“Ai thoshte që unë kam shpresë të SHBA që do ta rikalibrojë Reformën në Drejtësi. Dhe në fakt çfarë ka bërë Ahmetaj? Po ta shikosh, gjatë vitit të kaluar ai ka paguar 150 mijë Euro për firma lobimi në Uashington. Kjo është fakt publik sepse këto janë informacione që qeveria amerikane, edhe firmat e lobimit, i bëjnë publike në internet. 150 mijë Euro ai dhe bashkëshortja e tij për të lobuar në lidhje me atë që ata e quajnë akuza të padrejta që SPAK-u ka bërë”, u shpreh gazetarja Fatjon Mejdini.

/tvklan.al