Kryeministri Rama ka theksuar se emigrantët e shohin mirë ndryshimin e Shqipërisë në këto vite.

“Emigrantët e dinë mirë, madje shumica dërrmuese e tyre janë më të kthjellët se sa ne për të paktën tre gjëra themelore: e para ata janë më të kthjellët në vlerësimin e shkallës së përparimit të Shqipërisë, sepse nga njëra anë patjetër që nuk i kanë ato gërrmëret e përditshme të jetës së këtushme që shpesh na lodhin të gjithëve, po nga ana tjetër kanë mundësinë të vlerësojnë shumë më kollaj dallimin mes asaj që shohin kur vijnë dhe asaj që kanë parë kur kanë ardhur herën e kaluar”, tha Edi Rama.

Emigrantët, thekson kryeministri, nuk kanë iluzione për jetën atje ku janë dhe nuk i kuptojnë ankesat për punë në shtet.

“Emigrantët nuk kanë iluzione për jetën atje ku janë dhe shpesh herë as i kuptojnë madje ankesat tona, për faktin që kafet dhe restorantet janë plot por ata që rrinë më shumë ulur ankohen më shumë se jo s’ka bukë, jo s’ka ujë, jo s’ka rrugë, jo s’ka punë. Emigrantët punojnë fort, shumë fort, shpesh herë bëjnë nga dy punë, atje s’ka kushuri, s’ka krushqi, s’ka parti e punë në shtet ose rashë e vdiqa. Emigrantët paguajnë faturë pas faturash, pas faturash e lodhen shumë fare për të përballuar kostot që janë rritur eksponencialisht në Europë në krahasim me pagat që ata marrin”, tha Rama.

Sipas Ramës, emigrantët dinë ta vlerësojnë rëndësinë e imazhit të Shqipërisë jashtë kufijve.

“Emigrantët dinë ta vlerësojnë më shumë sesa ne, rëndësinë e imazhit dhe të reputacionit të Shqipërisë jashtë kufijve që deri dje iu kthehej kokës atyre vetë se i shikonin si të ardhur një vend shejtanësh, ndërsa sot ata po e thonë çdo ditë e me gojën më plot, jam nga Shqipëria, albanos, albanese, sepse Shqipërisë i kemi dhënë një dinjitet që se ka pasur kurrë në botën e jashtme dhe do ta ngjisim në majën e 2030-tës, si të barabartë mes të barabartësh, jo vetëm në marrëdhënie se këtë e kemi arritur që sot, por edhe në tryezën e familjes së bashkuar europiane”, tha Rama.

Numri i të regjistruarve nga diaspora ka arritur shifrën 28 mijë persona, ndërsa afati i fundit është data 4 Mars për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Klan News