Gjykata e Shkodrës ka vendosur këtë të enjte “arrest me burg” për 15-vjeçarin Klodian Kolbuçi i cili vrau bashkëmoshatarin e tij në Shkodër, Emiljano Gjoni.

Gazetarja e Klan News Emi Kalaja raporton se seanca është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa jashtë Gjykatës qëndronin familjarët e autorit të ngjarjes Klodian Kolbuçi.

Vetë ai ishte i pranishëm në sallën e gjyqit ndërsa nuk ka folur para Gjykatës. Psikologu ka deklaruar se ai është në gjendje të rënduar psikologjike duke e konsideruar në gjendje shoku. Prokurori ka kërkuar masën arrest me burg, teksa mbrojtja ka kërkuar që të merret masa e cila gjykon interesin më të lartë në shërbim të të miturit.

Ndërkohë më herët autori u ka thënë hetuesve që thika e përdorur nuk ishte e tij, por e viktimës. Të miturit njiheshin me njëri-tjetërin pasi jetonin në të njëjtën lagje, teksa në vendin e ngjarjes në momentin e vrasjes ka qenë edhe një tjetër fëmijë.

Gjithsesi motivet e këtij konflikti që përfundoi në mënyrë tragjike për Gjonin, nuk bëhen ende të ditura. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 në lagjen Skënderbej, e njohur si zona e Fermentimit, pas një konflikti për motive të dobëta.

Adoleshenti u gjet i shtrirë në rrugë nga kalimtarët e rastit, të cilët e dërguan në spital, por fatkeqësisht ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra./tvklan.al