Familja Kuka ka dalë këtë të premte para gjykatës së Fierit për t’u njohur me masat e sigurisë. Ata akuzohen për vrasjen e dy vëllezërve Gramos e Lavdimir Kurtajt, ngjarje e ndodhur paraditen e 10 shtatorit në fshatin Kurjan të Roskovecit.
Altin Kuka, 49 vjeç, dy djemtë e tij Emaurisio dhe Ervis, përkatësisht 18 dhe 21 vjeç, si dhe 67-vjeçari Tomor Zyko mbërritën në dyert e gjykatës nën masa të rrepta sigurie.
Në gjykatë po ashtu ndodhet edhe babai 79-vjeçar i Altin Kukës, i cili është nën hetim për të njëjtën ngjarje.
Teksa personi që hapi zjarr me kallashnikov drejt vëllezërve ishte Altin Kuka, dy djemtë e akuzohen si bashkëpunëtorë. Sa i përket Zykos dhe babait të Altin Kukës, ata dyshohen se kanë ndihmuar pas ngjarjes, dy djemtë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 të së martës në ambientet e një lokali të fshatit Kurjan.
Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, 52 dhe 46 vjeç u qëlluan me breshëri plumbash dhe gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes. Pas vrasjes Altin Kuka u vetëdorëzua në polici bashkë me armën e krimit. Por në vendngjarje ai kishte shkuar bashkë me djalin 21-vjeçari Ervis Kukën, i cili u arrestua nga policia disa orë më pas. Personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë u arrestuan të nesërmen.
Shkak për vrasjen e dyfishtë sipas hetimeve të deritanishme dyshohet se u bë një konflikt që djali i autorit, pikërisht Ervisi kishte pasur me djalin e njërit prej viktimave./tvklan.al