Këta janë Gramos Kurtaj dhe Lavdimir Kurtaj (xhaxha e nip), të cilët mbetën të vrarë me armë zjarri këtë të martë në Roskovec të Fierit. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 në fshatin Kurjan.
Sa i përket autorit të dyshuar, ai është Altin Kuka. 49-vjeçari u arrestua nga policia, e cila sekuestroi po ashtu automatikun me të cilin Kuka kreu krimin e rëndë.
“Rreth orës 14:00, në fshatin Kurjan, Roskovec, në rrethana ende të paqarta, shtetasi Altin Kuka, 49 vjeç, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri, shtetasit Lavdimir Kurtaj dhe Gramos Kurtaj Shërbimet e Policisë po shoqërojnë në Komisariat, autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin Altin Kuka. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar armën e dyshuar të krimit (armë zjarri automatike). Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha policia e Fierit në një informacion paraprak për mediat.
Shkak për ngjarjen e rëndë, të paktën sipas të dhënave të deritanishme, dyshohet të ketë qenë një sherr i ndodhur pak ditë më parë, mes djalit të autorit të dyshuar dhe djalit të njërit prej viktimave.
Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa ka mësuar se viktimat, Gramos Kurtaj dhe Lavdimir Kurtaj janë vëllezër gjaku, mirëpo njëri prej tyre është dhuruar tek xhaxhai, ndaj janë të regjistruar në Gjendje Civile si xhaxha dhe nip./tvklan.al