2 persona përfunduan në pranga me dyshimet se ndihmuan vëllezërit Edmir dhe Gëzim Frroku të largohen nga vendngjarja, pasi ekzekutuan me armë zjarri të rinjtë Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha të hënën në mbrëmje.
Të arrestuarit janë Marjo Pali dhe Zyber Zagrad, 29 dhe 26 vjeç, të dy punonjës të hotelit në pronësi të vëllezërve Frroku që ndodhen në arrati.
Ata gjithashtu besohet nga hetuesit se janë përfshirë në konfliktin e mbrëmjes së të hënës, ku Zagrad, që punonte si kamerier në hotel, mbeti edhe i plagosur në këmbë.
Policia e Shkodrës tha në një njoftim zyrtar së vijon kërkimet për arrestimin e vëllezërve Frroku. Në ndihmë të forcave lokale kanë shkuar edhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Ngjarja e rëndë e cila përfundoi mbrëmjen e të hënës me vrasjen tragjike të dy të rinjve, referuar policisë e ka zanafillën në datën 28 qershor të këtij viti, kur njëri prej viktimave, Ersild Ishmi, ka kanosur me armë zjarri kuzhinierin e hotelit në pronësi të vëllezërve Frroku.
Siç shihet edhe në këto pamje të regjistruar nga kamerat e hotelit më 28 qershor, debati verbal ka kaluar më pas në një konflikt fizik dhe për të përfunduar dje në vrasjen e dyfishtë.
Ishmi u ndalua në korrik për kanosjen dhe më pas u la në masë sigurie më të butë nga Gjykata, teksa konflikti siç duket nuk ishte shuar.
Tv Klan