Sali Berisha e bën përgjegjës Edi Ramën për shpopullimin e Shqipërisë dhe dorëzimin e qyteteve të jugut në duart e krimit.

“Jugu u përqendrua në disa qytete në bregdet, ku gjysmën e tyre i kanë pushtuar trafikantët dhe mafiozët e Edi Ramës, që fillimisht thoshte na ka dalë një Gjon. Nuk dinte injoranti se ishte Gjon Boçari me pronat e tij, një nga shqiptarët më të shquar të Sulit dhe Çamërisë dhe ishin pronat e tij, dhe ai thoshte na ka dalë një Gjon, na ka ardhë nga mali dhe nuk kishte parë det kurrë dhe ka pushtuar 50 mijë hektarë tokë. Ato ishin pronat e Gjon Boçarit. Tani ai ka marrë trafikantët e të gjithë rajonit dhe i ka vërsulur në Jug. Absolutisht nga Vlora gjer në Ksamil”, tha Berisha.

Anëtarësisë së PD-së së Gjirokastrës ku shkoi për të festuar 34-vjetorin e themelimit, Berisha ju tha me siguri se 11 Maji është dita e rikthimit të tyre në pushtet. Bindja siç pohon i buron nga programi ekonomik që demokratët kanë hartuar e që synon të zbusë varfërinë dhe fuqizojë sektorët jetikë të punësimit.

“Ky është programi ynë. Me këtë program fitojmë çdo mendje, zemër të njerëzve të ndershëm, pavarësisht nga bindjet e tyre. Prandaj ju kërkoj ta bëjmë natën ditë, të ulemi të bisedojmë me çdo njeri. Kurrë ndonjëherë nuk kemi pasur ndonjë program më të qartë, më realist se ky, më transformues se ky për Shqipërinë”, tha Berisha.

Paratë për të rritur pagat e pensionet kryedemokrati thotë se janë në arkën e shtetit, por me to abuzohet me jetën e luksit që bëjnë qeveritarët.

Votën më të rëndësishme në 11 Maj e pret nga emigrantët, ndaj kërkon nga çdo anëtar i PD të komunikojnë me çdo të afërm që jeton jashtë për t’u regjistruar dhe votuar për Partine Demokratike.

“Vëllazërisht ju lutem, çdo telefon, çdo lidhe që keni, ta përdorni për ti ftuar që të firmosin me 11 maj rotacionin, të firmosin ndryshimin. Është radha jonë, është radha jonë. Fitore”, tha Berisha.

Tv Klan