Vrasja me thikë e një adoleshenti 14-vjeçar nga bashkëmoshatari tij në shkollën “Fan Noli” në kryeqytet ka sjellë reagimin e ashpër të opozitës në Kuvend që kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministres Manastirliu.
Ina Zhupa, deputete e PD: Dua që të kuptoni se sa fallco dhe sa jashtë realitetit është projektbuxheti që ka një kapitull me vete për sigurinë në shkolla, se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangë sherrin me thika në derën e shkollës Fan Noli. T’ju vijë turp, jep dorëheqjen, ik me turp sepse kjo që ka ndodhur sot është një skandal.
Vetë Manastirliu theksoi se ka ardhur koha që të reflektojmë e të angazhohemi më shumë për një mjedis të sigurtë pasi dhimbja për këtë ngjarje është e paimagjineshme.
Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit: Është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë. E para na thonë se si përfaqësues të qytetarëve në këtë sallë të angazhohemi më shumë për një mjedis më të sigurtë për fëmijët tanë. Të forcojmë më shumë mekanizmat e parandalimit dhe ndërhyrjes zë shpejtë dhe të jemi shembull të promovojmë vlerat e respektit për njëri-tjetrin. Të mos kemi më gjuhë urrejtje. Duke filluar nga kjo sallë sepse jemi edhe modeli për fëmijët tanë.
Ndërkaq nëpërmjet një deklarate zyrtare ministria e Arsimit dhe Sportit ka apeluar për rëndësinë e rolit aktiv të të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të Policisë së Shtetit, por edhe të komunitetit për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Klan News