Vrasja me thikë e 14-vjeçarit M.C. mesditën e 18 Nëntorit në afërsi të shkollës Fan Noli në kryeqytet, nuk ka autor të dytë veç të miturit M.P., e dhënë kjo e konfirmuar me pamje filmike dhe prova shkencore.

Me të njëjtin version si të rreth 10 ditëve më parë, Policia e Shtetit ka reaguar sërish lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit, duke hedhur poshtë pretendimet lidhur me një person të dytë po të mitur, që ka qëlluar me thikë krahas autorit të vënë në pranga.

Përfundimi të cilit i referohet Policia e Shtetit, sipas saj ka dalë nga veprimet hetimor të deritanishme dhe pamjeve filmike.

Teksa shpjegon dinamikën e ngjarjes së rëndë, uniformat blu e cilësojnë një sajesë përfshirjen e një autori të dytë në konfliktin mes të miturve.

“Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit”.

Më tej në reagimin e saj, Policia e Shtetit siguron opinionin lidhur me vërtetësinë e komunikatave të bëra deri më tani sa i takon ngjarjes së rëndë, teksa shton se për çdo zhvillim të ri nga hetimet, informimi publik do të vijojë.

Mbi vërtetësinë e versionit zyrtar të policisë për vrasjen e 14-vjeçarit, ka reaguar dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.

Duke i cilësuar “tymnajë” pretendimet lidhur me ekzistencën e një autori të dytë në ngjarje, ministri konfirmon vërtetësinë e versioneve të policisë.

Gjithashtu ai shton se kamerat e sigurisë tregojnë qartësisht bllofin e madh të politizimit apo tregtimit mediatik të vdekjes së 14-vjeçarit M.C.


Reagimi i Policisë së Shtetit:

Policia e Shtetit shpreh indinjatë për keqtrajtimin publik që kulmoi me lajmin e rremë të pranisë së një autori të dytë me thikë, në vrasjen tragjike të ngjarjen e datës 18.11.2024, ku humbi jetën nxënësi 14-vjeçar M. C.

Pavarësisht komunikatave të Policisë së Shtetit, të cilat nuk janë lajme portalesh po informacion për publikun me përgjegjësi të plotë ligjore, një sërë burimesh të hapura u angazhuan fort dhe vazhdojnë të dizinformojnë opinionin publik lidhur me autorësinë e ngjarjes. Kjo qasje shpërfillëse ndaj të vërtetës dhe lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut, e cila me qëllim apo me mungesë ndërgjegjeje të theksuar politike ose profesionale nga aktorët e medias, nxit pasiguri e mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duhet të ndalet.

Nga veprimet hetimore të deritanishme të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, veprime të cilat janë të bazuara në prova të pakontestueshme për ngjarjen tragjike dhe autorësinë e saj, rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar në materialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor.

Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit.

Nga veprimet hetimore dhe procedurale në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit.

Grupi i posaçëm hetimor po punon pa orar për të bërë dokumentimin përfundimtar ligjor të ngjarjes. Policia e Shtetit u bën thirrje publikisht të gjitha burimeve të informimit publik të mos vazhdojnë të hedhin dyshime të pabaza mbi këtë ngjarje tragjike. Nga ana tjetër Policia e Shtetit e siguron me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore opinionin publik se çdo version tjetër i ngjarjes në fjalë është i gënjeshtërt.

Policia e Shtetit bën me dije publikun se në çdo rast do të vazhdojë të informojë sipas të dhënave, provave dhe fakteve të përfituara nga grupi hetimor në këtë rast dhe në çdo rast, gjithmonë duke ruajtur sekretin hetimor dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë në këtë rast dhe kudo tjetër në çdo rast.

/tvklan.al