Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ishte i drejtpërdrejtë në komentin e tij për vrasjen e efektivit të policisë së Fierit, Novruz Cenalia mesditën e kësaj të hëne. Ai kërkoi nga policia arrestimin një orë e më parë të autorit.
“Dua që të shpreh në këtë rast dhimbjen që ndjej për humbjen e jetës së një punonjësi policie dhe po ashtu të nxis Policinë e Shtetit, drejtuesit e Policisë së Shtetit që të bëjnë gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorit dhe e them shpesh që duhet të bëjmë gjithçcka që në këtë vend të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo që është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonësi police e më rëndë se kaq të përdorësh armën”.
Një tjetër thirrje ministri pati edhe për 23-vjeçarin e shpallur në kërkim.
“Nuk dua të hyj në interpretimin e informacioneve paraprake, ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarje por gjithsesi përgjegjësia e parë që bie mbi Policinë e Shtetit është pjesa që lidhet me identifikmin e menjëhershëm të autorëve. Kam besim që Forca Kombëtare e Sigurisë, forca RENEA dhe gjithë forcat e Policisë së Shtetit të konkludojnë dhe këtu dua t’i bëj thirrje familjarëve dhe vetë personit mbi të cilin rëndon akuza, të dorëzohet”.
Një reagim për ngjarjen bëri edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili tha se po bëhet çdo përpjekje për arrestimin e autorit, që sipas tij, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore.
Novruz Cenalia për 4 vite kishte qenë pjesë e strukturave të rendit në Policinë e Fierit, ndërsa prej rreth 2 vitesh ishte efektiv i forcave “Shqiponja”.
Tv Klan