Me shenja pendese dolën në Gjykatën e Vlorës, David Larti dhe Daniel Qose, dy të arrestuarit si bashkëpunëtor të Gerald Shehut, i cili akuzohet se vrau recepsionistin Eraldo Nevruzi. Seanca për masën e sigurisë ndaj tyre u bë me dyer të mbyllura dhe të ndarë nga njëri-tjetri. I pari që u paraqit në gjykatë ishte 33-vjeçari Daniel Qose, ndërsa më pas 30-vjeçari David Larti.
Në sallën e gjyqit, ata thanë se janë kërcënuar nga bashkëpronari i hotelit, dhe nga frika janë detyruar të bashkëpunojnë. Pavarësisht pretendimeve të tyre gjyqtarja Dorina Stroka miratoi kërkesën e prokurores Vitjuna Mata, për t’i lënë në “arrest me burg”.
Jashtë gjykatës prisnin familjarët e Daniel Qoses, të cilët u munduan të komunikojnë teksa po largoheshin me makinën e policisë.
Qose dhe Larti akuzohen se ndihmuan Gerald Shehun që të fusë trupin e viktimës në një qese plehrash dhe më pas e futën në bagazhin e makinës. gjithashtu akuzohen se asgjësuan provat e vrasjes, duke djegur sendet personale, telefonin dhe rrobat e 31-vjeçarit Nevruzi në furrën e picerisë.
Pistoleta, që i mori jetën recepsionistit, ende nuk është gjetur, ndërsa në kasafortën e 43-vjeçarit Gerald Shehu u gjet një gëzhojë plumbi. Bashkëpronari i hotelit u arrestua në Korfuz teksa po përpiqej të arratisej drejt Anglisë, ndërsa pritet ekstradimi drejt vendit tonë.
Klan News