Policia ka identifikuar dhe arrestuar 2 persona, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar autorin e vrasjes së recepsionistit të hotelit në Dhërmi, Eraldo Nevruzit, për të fshehur trupin e pajetë të tij.

Nga veprimet hetimore, autori i dyshuar Gerald Shehu, pasi e ka vrarë me armë zjarri Nevruzin është ndihmuar për të fshehur trupin nga 2 punonjës të hotelit të tij, 33-vjeçari Daniel Qosja dhe 30-vjeçari David Larti, të dy banues në Korçë.

Ky është 31-vjeçari Eraldo Nevruzi që u qëllua me armë dhe u zhduk në Dhërmi
Në foto: Eraldo Nevruzi, 31-vjeçari që u qëllua me armë dhe u zhduk në Dhërmi

Në banesën ku qëndronte autori i dyshuar i ngjarjes, Gerald Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, uniformat blu kanë gjetur 1 fishek arme zjarri me kapsollë të goditur që u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim.

Ngjarja ka ndodhur rreth 30 minuta pas mesnatës të 6 Qershorit në ambientet e hotelit, konkretisht në dhomën ku akomodohet stafi. Uniformat blu kanë dyshime se në fillim mes viktimës dhe autorit ka patur një përplasje verbale që më pas ka degraduar deri në përdorimin e armës.

Policia e Shtetit ka dhënë informacion shtesë për ngjarjen e rëndë që dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së kësaj të enjteje në Dhërmi. Kështu policia konfirmon se Gerald Shehu, 43-vjeç është largua nga vendi ynë drejt Greqisë ndaj dhe po punohet me autoritetet fqinje për kapjen e tij. 43-vjeçari, po sipas policisë, është bashkëpronar i hotelit ku dyshohet dhe se ndodhi krimi i rëndë.
Foto: Gerald Shehu, autori i dyshuar i vrasjes së Eraldo Nevruzit

Pasi e ka qëlluar, dyshohet se autori, i cili është bashkëpronar i hotelit, e ka larguar 31-vjeçarin me një automjet ngjyrë të bardhë me targa angleze. Dyshohet se ai e ka fshehur trupin e tij dhe me pas është larguar në rrugë tokësore drejt Greqisë, ku dhe u vu në pranga vetëm pak orë pasi tentoi të largohej.

Makina e autorit të dyshuar Gerald Shehu
Foto: Makina e autorit të dyshuar, Gerald Shehu

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se kanë vijuar kërkimet edhe gjatë natës për gjetjen e trupit të 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi. Kërkimet janë përqendruar përgjatë rrugës Dhermi-Himarë, por edhe në ndonjë zonë të dyshimtë që autori Gerald Shehu dhe dy bashkëpunëtorët mund ta kenë hedhur trupin.

Gjithashtu janë kontrolluar edhe kanale apo zonat ku kalon makina, Gjipe, Vuno, Ilias, edhe nga deti me Policinë Kufitare, e cila bashkëpunon me Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Edhe këtë mëngjes kanë nisur sërish kërkimet për gjetjen e trupit, por deri tani pa rezultat. Policia po kontrollon edhe me dronë territorin ku mund të jetë hedhur trupi i pajetë i Eraldo Nevruzit.

Në funksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për Gerald Shehun, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për Daniel Qosjen dhe David Lartin për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.


Njoftimi i Policisë:

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas, të cilët dyshohet se ndihmuan autorin e ngjarjes kriminale të ndodhur ditën e djeshme, në Dhërmi, për të fshehur trupin e pajetë të shtetasit E. N.

Nga veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dyshohet se autori, shtetasi G. Sh., pasi e ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. N., është ndihmuar për të fshehur trupin, nga 2 punonjës të hotelit të tij, shtetasit D. Q., 33 vjeç dhe D. L., 30 vjeç, të dy banues në Korçë.

Nga këqyrja e banesës ku qëndronte shtetasi G. Sh., në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.

Në fuksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasin G. Sh., për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për shtetasit D. Q. dhe D. L., për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.


/tvklan.al