Në seancën e sotme gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Athinës në Greqi ndaj shqiptarit Aleksandër Luca dhe shokut të tij Manolis Koukouras të akuzuar për vrasjen e studentes 21-vjeçare, i pandehuri shqiptar ka kërkuar falje.
Ai ka hedhur akuza ndaj 23-vjeçarit grek, të cilin e bën përgjegjës për vrasjen e studentes. Aleksandër Luca tha në gjykatë se i vetmi faj i tij është që nuk bëri asgjë për të mbrojtur vajzën. Sipas tij, Eleni i kishte kërkuar që ta dërgonte në spital pasi ishte abuzuar dhe dhunuar.
“Nuk e vrava unë, e ndihmova. Kur po e pastroja, Eleni më tha ‘më dërgo në spital’”, u shpreh Aleksandër Luca përpara gjykatës duke kujtuar çfarë kishte ndodhur natën e vrasjes.
Ai ka treguar gjithashtu se kur shoku i tij grek Manolis Koukouras e goditi me thikë dhe levë studenten, u futën në makinë të tre së bashku duke menduar se do të shkonin në spital për të çuar për mjekim 21-vjeçaren e cila ishte ende gjallë.
Por, në rrëfimin e tij përpara gjykatës, Aleksandër Luca tregoi se 23-vjeçari grek kishte vendosur që ta hidhte vajzën në det, me argumentimin që nëse do të shkonin në spital do të zbulohej se Eleni ishte abuzuar seksualisht dhe dhunuar.
Të dy e lidhën studenten nga këmbët dhe e hodhën në det. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi më pas se Eleni ishte ende gjallë deri në atë moment dhe kishte humbur jetën nga mbytja.
Prej këtej, vijoi rrëfimin shqiptari, dy djemtë u rikthyen në shtëpi për të pastruar rrëmujën dhe për të zhdukur provat. Sipas tij, greku Manolis Koukouras e kërcënoi shqiptarin që të mos tregonte asgjë në të kundërt do ta pësonte si Eleni.
“U frikësova. E di që është faji im që e lashë të ndodhte, unë jam ai që nuk mbrojti Elenin”, u shpreh Aleksandër Luca.
Ndryshe nga shoku i tij grek, shqiptari i kërkoi falje familjes së studentes së ndjerë për vdekjen e vajzës së tyre.
Nga ana tjetër, shtypi grek raporton se i akuzuari tjetër Manolis Koukouras u dërgua në spital për të bërë testin ndaj Covid-19 pasi kishte shfaqur ethe dhe temperaturë.
Gjyqi për këtë çështje vazhdon. /tvklan.al