Policia e Shkodrës jep detaje lidhur me operacionin për kapjen e autorit të dyshuar për vrasjen e 31 – vjeçarit Gjokë Arra, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në Dukagjin.
Policia sqaron se 31 – vjeçari Luvigj Bludaj u vetëdorëzua pas negociatave të vazhdueshme me policinë.
Gjatë ditës së premte, sqaron policia, pas ndjekjes intensive të informacioneve për vendndodhjen e autorit të dyshuar të ngjarjes u bë e mundur lokalizimi i tij në zonën e Dukagjinit, ku qëndronte i fshehur, zonë e cila është rrethuar ditën e djeshme nga forca të shumta policore të Policisë Shkodër dhe F.N.SH – së, duke negociuar për dorëzimin e tij.
Pas disa orësh negociata Bludaj, banues në fshatin Gjuraj u vetëdorëzua. Atij iu sekuestrua edhe arma e krimit, një pistoletë TT me karikatorë, me 5 fishekë.
Mbi 31 – vjeçarin rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve.
Ndërkohë vijon të mbetet në kërkim vëllai i tij, Çesk Bludaj, i përfshirë edhe ai në konfliktin me viktimën./tvklan.al