Rreth 24 orë pas vrasjes së Alfred Dedjes në një lokal në zonën e Ndroqit pasditen e së dielës, autori 26-vjeçar, Julian Gjoshi është vetëdorëzuar në polici.

Burime pranë grupit hetimor i thanë TV Klan se prej disa orësh, Policia e Tiranës ka negociuar me familjarë të të riut, derisa ky i fundit është bindur për t’u vetëdorëzuar.

Po gjatë kësaj të hëne, hetuesit kishin arritur të gjenin automjetin tip Mercedez Benz që shihni në pamje, me të cilin Julian Gjoshi u largua nga restoranti në Ndroq.

26-vjeçari e braktisi atë në zonën e njohur si Shkëmbi i Kavajës. Policia ka arritur të zbardhë ndërkohë të gjithë dinamikën e vrasjes nga dëshmitë e personave dhe kamerat e sigurisë.

Rezulton se ka qenë 50-vjeçari, ai që sapo e ka parë Julian Gjoshin, i ka shkuar atij në tavolinë. Në këtë moment, 26-vjeçari ka qëlluar disa herë me armën e zjarrit, që kishte me vete.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur Aflred Dedja është qëlluar me 5 plumba, 3 prej tyre e kanë kapur në trup duke humbur menjëherë jetën.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, Policia i gjeti armë zjarri edhe viktimës, teksa të dy rezultojnë të skeduar për vjedhje dhe trafik narkotikësh.

Burimet konfirmuan se disa kohë më parë, Gjoshi dhe Dedja janë konfliktuar, megjithëse motivet mbeten ende të paqarta.

Tv Klan