Alfred Dedja u ekzekutua me të paktën 2 plumba në sytë e klientëve të shumtë në një lokal në Ndroq të Tiranës. Sipas të dhënave paraprake, pjesa më e madhe e klientëve të lokalit kanë qenë dëshmitarë okularë të të gjithë dinamikës së ngjarjes.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se viktima ndodhej i ulur në lokal me një mikun e tij. Autori pasi ka hyrë në lokal, ka shkuar në tavolinën që ndodhej viktima dhe e ka qëlluar atë menjëherë me armë. Autori ka qëlluar nga xhepi i xhupit.

Policia ka shoqëruar për të marë në pyetje edhe dëshmitarët në lokal si dhe të njohur dhe familjar të autorit të dyshuar, Julian Gjoshi. Një prej dëshmitarëve ka treguar se rreth dy orë para se të ndodhte vrasja, e ka parë Julianin në zonë dhe e ka përshëndetur.

Ky fakt dyshohet nga hetuesit se autori ka qenë më herët përgjatë zonës duke ruajtur lëvizjet e objektivit të tij. Në vendngjarje është gjetur edhe një predhë, e cila është çuar në laborator për ekspertim.

Pasi kreu krimin, autori u largua nga vendngjarja me një makinë (Benz të zi, ML) drejt Shijakut, ku raportohet se jeton. Julian Gjoshi rezulton si person me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje.

Sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, viktima, i njohur me nofkën “Daku” jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë. Ka dyshime se jashtë vendit, ai ka qenë i përfshirë në trafik droge.

Referuar të njëjtave burime, vrasja dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës. Megjithatë ekspertët nuk përjashtojnë edhe pistat e tjera. Mësohet se autori i dyshuar i ngjarjes, Julian Gjoshi është kunati i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Altin Hajri./tvklan.al