Alfred Dedja, 50-vjeç, u ekzekutua me armë zjarri pasditen e kësaj të diele në Ndroq të Tiranës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30 në një lokal të zonës.

Dedja ndodhej në ambientet e lokalit kur autori i dyshuar, i identifikuar si Julian Gjoshi, iu afrua dhe e qëlloi për vdekje. Më pas, autori u largua nga vendngjarja me një makinë (benz të zi, ML) drejt Shijakut, ku raportohet se jeton.

Sipas gazetares së Klan News Glidona Daci, vrasja dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës. Megjithatë ekspertët nuk përjashtojnë edhe pistat e tjera.

Në momentin e vrasjes, 50-vjeçari ishte në shoqërinë e personave të tjerë që dëshmuan të gjithë ngjarjen dhe ishin pikërisht ata që identifikuan Gjoshin si autor. Detaj ky që tregon se palët kishin njohje me njëri-tjetrin.

Viktima Alfred Dedja mësohet se ishte banor i zonës. Sipas gazetares Daci, ai njihej edhe me nofkën “Daku” dhe raportohet se jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë. Në shtetin fqinj dyshohet se punonte me persona nga Shijaku dhe merrej me trafik droge. Ndërsa sa i përket autorit të dyshuar, ai rezulton person me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje. 

“Më datë 01.12.2024, rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A. D., rreth 50 vjeç. Autori është identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj dhe kapjen e autorit të dyshuar“, tha policia e Tiranës në një informacion paraprak për mediat.

Ngjarja u dëshmua nga klientë të shumtë që ndodheshin në lokal./tvklan.al