Hetimet për vrasjen e 42-vjeçarit Eglantin Proga në Pogradec janë kthyer tashmë në një shkëmbim replikash mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Korçës. Në një njoftim të bërë pasditen e së mërkurës, organi i akuzës njoftoi ndër të tjerash nisjen e hetimeve për një punonjës policie që sipas saj nuk ka kryer procedurat e kërkuara në vendin e ngjarjes.
“Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar. A.B. i ka thënë se kushëriri i tij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë “ore ik andej”.
Por në një reagim të kësaj të enjteje, Policia e Ahtetit i hedh poshtë këto pretendime duke deklaruar se punonjësi i policisë, Artur Lilo i takon patrullës së përgjithshme dhe nuk ka për detyrë të hetojë ngjarjen.
“Punonjësi i Policisë inspektor A.L me të mbërritur në vendngjarje ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ka bërë shoqërimin me automjetin e policisë për në spital, ku ka qëndruar në pritje për të marrë informacion mbi ecurinë e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarit”.
Policia thotë se në këtë mënyrë, efektivi i saj i ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale dhe se nuk ka asnjë lidhje me autorin e dyshuar. Për procesin ndaj autorit Denis Meçe dhe akuzat e ngritura ndaj tij, ka nisur verifikimet edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Tv Klan