Grindeshin shpesh në dhomën që duhet të ndanin së bashku. Por mëngjesin e kësaj të enjteje 78-vjeçari Zyhdi Shehi e goditi disa herë me një bastun hekuri Virxhil Veshon, 82 vjec duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit në një shtëpi private të moshuarish në zonën e Ali Demit në Tiranë. Burime nga grupi i hetuesve thanë se debati ka qenë banal.
Autori e ka akuzuar viktimën se kishte shkuar pa leje në dhomën e tij dhe se i kishte zënë krevatin edhe pse dhomat janë dyshe.
Sipas të njëjtave burime të dy të moshuarit vuanin nga demenca dhe parkinsoni. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe ka marrë dëshmitë e punonjësve dhe drejtuesve të azilit si dhe të të moshuarve të tjerë. 78-vjeçari Zyhdi Shehi është vënë në pranga i akuzuar për vrasje me dashje.
Pas kësaj ngjarje nga policia janë arrestuar dy infermieret e azilit privat. Ato akuzohen për moskallëzim të krimit. Para hetuesve mësohet se kanë deklaruar se vdekja e të ndjerit Vesho mund të kishte ardhur nga rrëzimi në dhomë dhe jo nga konflikti me 78-vjeçarin Shehi.
Tv Klan