Në reagimin e tij në rrjetet sociale për vrasjen e Egli Progës në Pogradec, Kryeministri Edi Rama shkruan se akuza ‘vrasje nga pakujdesia’ e Prokurorisë tingëllon e pakuptueshme.
Kryeministri Edi Rama: “Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral.
Sipas kryeministrit në konkluzionin e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e cila është angazhuar nga Ministria e Brendshme thuhet se Policia e Shtetit dhe punonjësit e urgjencës e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral. Rama shpreh mirëkuptimin për indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria.
Kryeministri Edi Rama: Duke mos komentuar qëndrimin e organeve të drejtësisë, por duke mirëkuptuar plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria, bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin e keqinformimin e qëllimshëm të publikut dhe nxitjen e urrejtjes ndaj institucioneve shtetërore, përmes lojës së turpshme me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore.
Sipas kryeministrit Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit.
Kryeministri thekson se policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën. Në fakt të gjitha provat e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë sipas kreut të qeverisë se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë!
Klan News