Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest në burg për 59-vjeçarin Përparim Ademi, që dy ditë më parë vrau motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani.
Edhe prokurori i çështjes kërkoi të njëjtën masë sigurie ndaj 59-vjeçarit, i cili akuzohet për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.
Përparim Ademi ka pranuar vrasjen dhe ka kërkuar falje. Ai kishte lidhje intime me Zhaneta Metanin, me të cilën kishte sjellë në jetë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.
Por 59-vjeçari u tha hetuesve se mendonte që Zhaneta kishte lidhje tjetër, ndaj dhe e vrau.
Paraditen e 31 Dhjetorit, Përparim Ademi qëlloi me breshëri kallashnikovi dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani pasi debatuan fillimisht brenda banesës, duke i lënë të vdekura.
Ai zbrazi karikatorin ndaj motrave dhe më pas armën e la në banesë e u arratis. Në vendngjarje u gjetën 26 gëzhoja, kurse 59-vjeçari u arrestua nga policia disa minuta më vonë pas krimit. /tvklan.al