Një konflikt për një vend parkimi në një lagje të qytetit Machelen në Belgjikë çoi në vrasjen me armë zjarri të një 43-vjeçari shqiptar.
Mediat belge raportojnë se ngjarja është regjistruar mbrëmjen e të dielës, teksa i plagosur ka mbetur edhe një 19-vjeçar, nip i shqiptarit.
Autoritetet belge kanë identifikuar si autor të ngjarjes fqinjin e shqiptarit një 61-vjeçar italian, i cili pas ngjarjes u arratis, për t’u prangosur disa orë më vonë.
Hetimet treguan se autori gjithashtu kishte kërcënuar edhe gruan e shqiptarit, pak minuta pasi kishte qëlluar ndaj viktimës i cili ndodhej në një furgon të parkuar para banesës.
Dyshohet se furgoni i viktimës kishte bllokuar makinën e autorit të ngjarjes, ndërkohë që dëshmitë e banorëve atje tregojnë se sherri për parkingun kishte nisur prej disa kohësh.
Ngjarja e rëndë ka tronditur banorët e lagjes, të cilët duke folur për mediat kanë rrëfyer se si kishin dëgjuar të shtënat dhe kishin menduar fillimisht se ishin fishekzjarre.
Një ditë pas ngjarjes gjithashtu banorët janë fotografuar nga mediat duke çuar lule në vendin ku shqiptari humbi jetën.
Tv Klan