Wikileaks ka publikuar disa prova me dokumente në të cilat thuhet se përshkruhen në detaje punët e brendshme të programeve të CIA-s. Në mesin e tyre gjendet pretendimi se agjencia spiune amerikane është në gjendje të hakojë televizorët Samsung dhe t’i përdorë ata si mikrofona të fshehtë.

CIA përgjon botën përmes viruseve që sulmojnë telefonat inteligjentë, madje edhe televizorët. Akuza e rëndë vjen nga Wikileaks që publikoi mijëra dokumente të reja, që sipas agjencisë së themeluar nga Julian Assange, janë marrë nga dosjet sekrete të inteligjencës amerikane.

Wikileaks njoftoi se CIA ka humbur një pjesë të mirë të arsenalit të saj kibernetik, duke lënë në duar të hakerave dhe kontraktuesve privatë, miliona informacione të koduara, që i janë dorëzuar më pas Julian Assange.

Iphonat dhe telefonat Android, dy nga pajisjet më të përdorura në botë janë nën përgjim, njofton Wikileaks, por sipas agjencisë që konsiderohet si armike nga SHBA-të, inteligjenca amerikane dhe ajo britanike zotërojnë një virus që kthen televizorët inteligjentë në mikrofonë e përçues informacioni, duke hyrë kudo në shtëpitë e njerëzve.

Organizata e krijuar nga Asanzh thotë se hakerat e CIA-s kanë përdorur konsullatën amerikane në Frankfurt për të përgjuar Europën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Publikimi i dokumenteve të fundit u përshëndet edhe nga ish-agjenti tjetër i arratisur nga SHBA-të, Edward Snowden.

Programi i dyshuar, i quajtur “Weeping Angel”, thuhet se është zhvilluar në partneritet me MI5, agjencinë britanike të spiunazhit dhe ka regjistruar biseda duke përdorur mikrofonin e pajisjes kur ajo ka qenë e fikur.

Një zëdhënës i Samsung nuk i është përgjigjur kërkesës së “Business Insider” për koment.

Nëse janë legjitime, dokumentet e publikuara të martën do të ofrojnë një dritare hyrëse në punët e brendshme të agjencisë amerikane të inteligjencës.

Në vitin 2015, Samsung ka paralajmëruar përdoruesit e tij të implikimet e mundshme të privatësisë që vijnë nga ata që kanë në shtëpitë e tyre një televizor Samsung.

Business Insider megjithatë nuk ka qenë në gjendje të verifikojë vërtetësinë e dokumenteve të Wikileaks./tvklan.al