Ushtarakët shqiptarë që shërbejnë në misionet ndërkombëtare në Resolute Support në Herat dhe Kabul të Afganistanit, detin Egje, Letoni, KFOR Kosovë dhe Mali iu bashkuan urimeve për 10-Vjetorin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Në video komunikimin me ushtarakët shqiptarë, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i falenderoi ata për kontributin vyer që ata japin, jo vetëm për vendet ku ata shërbejnë, por edhe për vlerësimet që Shqipëria merr si një anëtare e denjë e NATOS.
“Është falë kontributit tuaj që ne sot jemi krenarë. Ky kontribut vlerësohet gjithnjë edhe më shumë dhe dita ditës, ne bëhemi një partner i besueshëm edhe një partner vërtet i rëndësishëm për Aleancën. Na keni bërë krenarë sot, edhe jam e bindur që do të na bëni krenarë çdo ditë që vazhdoni kontribuoni duke eksportuar siguri, jo vetëm për vendin tonë, por edhe në të gjitha misionet edhe operacionet e Aleancës apo të Bashkimit Evropian.”
– u shpreh ministrja Xhaçka e cila ofroi mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, për çdo problem që ushtarakët shqiptarë mund të kenë gjatë shërbimit jashtë vendit.
“Kujdesuni për njeri – tjetrin dhe ardhshi shëndoshë e mirë pranë familjeve tuaja që u mungoni shumë. Çdo shqetësim, çdo merak, çdo problem që mund të keni, nevojë për familjet tuaja, ju lutemi ndajini me ne. Jemi një familje e madhe mund të bëjmë shumëçka për t’u kujdesur për ata për sa kohë nuk jeni këtu.”
– u shpreh ministrja Xhaçka.
Ministrja e Mbrojtjes nuk mundi të urojë gjithë ushtarakët tanë jashtë vendit, pasi një pjesë e tyre ishte në shërbim, por të gjithë ndanë kënaqësinë e urimit për njërit prej ushtarakëve me mision në Herat, i cili pak ditë më parë është bërë babai i një vajze.
Aktualisht në misionet jashtë vendit shërbejnë 210 ushtarakë shqiptarë, ndërkohë që, që prej vitit 2009, në misionet paqeruajtëse jashtë vendit kanë shërbyer rreth 5000 burra dhe gra në uniformë./tvklan.al