Partia Socialiste kërkon që Gjykata Kushtetuese të rihapë çështjen për mandatin e Olta Xhaçkës. Nëpërmjet një letre dërguar këtij institucioni të drejtësisë, Kuvendi i Shqipërisë kërkon që për këtë çështje t’i merret mendim Komisionit të Venecias.
Ndër të tjera, Kuvendi pretendon se kërkesa e opozitës në Kushtetuese ka krijuar pasiguri juridike.
Kuvendi: Ndodhur në kushtet kur krijohet një pasiguri juridike, se përse grupi prej jo më pak se 1/5 e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kundërshtim me rendin kushtetues në fuqi, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias, dhe në lidhje me zbatueshmërinë e këtyre parashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtën e 1/5 së deputetëve të Kuvendit për të vendosur në lëvizje Kushtetuesen.
Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Gjykatës Kushtetuese t’i drejtojë disa pyetje Komisionit të Venecias.
Bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputetit?
Një tjetër pyetje është dhe cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit?
Për mandatin e Olta Xhaçkës, Gjykata Kushtetuese e shpalli ilegjitim vendimin e Kuvendit për mos ta çuar për shqyrtim në këtë institucion, duke rrëzuar dhe raportin e socialistëve të miratuar në parlament për mos t’i hequr mandatin deputetes.
Klan News