Pas zotimeve që ka marrë pas prezantimit të planit të partneritetit evropian për drejtësi në Shqipëri, ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafa ka mbajtur një deklaratë të ashpër para punonjësve të Zyrës së Përmbarimit. Zoti Xhafa tha se me ritmet që është punuar dhe po punohet vitet e fundit përmbarimi nuk mund të arrijë të përmbushë angazhimet për ekzekutimin e të gjitha vendimeve gjyqësore brenda vitit 2005. Për këtë arsye shkarkimi nga detyra i të paaftëve dhe abuzuesve, sipas minsitrit, do të jetë i pashmangshëm.

Fatmir Xhafa: “E deklaroj këtu dhe duhet ta mbani shënim të gjithë në Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor të Republikës së Shqipërisë, nuk duhet të ketë asnjë përmbarues i cili nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë i tillë. Filloni menjëherë ju kryetarët e zyrave në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme dhe Këshillin Përmbarimor të merrni masat e duhura për të vepruar në këtë drejtim! Në çdo rast kur ndaj një përmabruesi do të propozohet një masë e përsëritur disiplinore, të jetë i sigurt se nuk ka më vend për të në këtë shërbim.”

Për Zyrën e Përmbarimit, veç ankesave të qytetarëve, janë paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë mjaft rekomandime nga zyra e Avokatit të Popullit, Këshillit të Evropës dhe Komiteti Shqiptar të Helsinkit. Thuajse çdo vit, gjatë analizave të punës së zyrave të përmbarimit ka pasur shkarkime të punonjësve të tyre. Numri mesatar i vendimeve që duhet të ekzekutojë një përmbarues gjatë vitit është 60-70 çështje dhe, sipas statistikave të paraqitura, në mjaft raste përmbaruesit nuk e përmbushin as këtë nivel. /tvklan.al