“I shërben shtetasve të gjithë rajonit”

Përkundër qëndrimit të prerë të Vjosa Osmanit se Minishengeni Ballkanik është jo gjithëpërfshirës dhe i pafavorshëm për Kosovën, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev e cilëson atë një iniciativë që i shërben të gjithë rajonit.

Nga fshati Pustec, aty ku vizitoi një shkollë të rinovuar me fondet shqiptaro – maqedonase, Zaev bëri të ditur se në Janar do të ketë një tjetër thirrje për bashkimin e Kosovës në Minishengen.

“Kjo është një iniciativë që duhet të vazhdojë sepse të mirat janë të dukshme dhe po punohet për lëvizjen e lirë të shtetasve të rajonit. Po presim të bëhet pjesë edhe Kosova sepse nga projektet në infrastrukturë përfiton i gjithë rajoni. Ne do të takohemi në Janar dhe duam t’i bëjmë thirrje Kosovës t’i bashkëngjitet iniciativës. Shpresoj që pas saj, të bashkohen me ne Mali i zi dhe Bosnjë-Hercegovina”.

Zaev komentoi edhe vendimin e BE që vendosi në Nëntor të mos çelë negociatat e integrimit për Shqipërinë dhe Maqedonine e Veriut.

“Edhe pse morëm një zhgënjim nga Bashkimi Europian, ajo është rrugëdalja e vetme e shteteve tona, pra integrimi në BE, dhe të dy shtetet meritojnë të vazhdojnë këtë rrugëtim. Ne po punojmë me Bullgarinë që të zgjidhim probleme të vogla në aspektin e historisë”.

Lidhur me situatën e koronavirusit, Zaev tha se nuk do të ketë masa shtesë mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për pjesën e lëvizjes.

Tv Klan