“Probleme me pronësinë, isha nën ndikimin e alkoolit”
Ilirjan Hasanaj ka pranuar përpara policisë se ka qenë ai që kë ka qëlluar ndaj drejtuesit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj, por këtë gjë e ka bërë pa paramendim. 19-vjeçari u vetëdorëzua ditën e djeshme në Policinë e Shkodrës dhe në dëshminë e tij para autoriteteve është shprehur shumë i penduar për atë që ka bërë. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur për shkak të një problemi pronësie toke.
I riu ka dëshmuar se në momentin që ka parë Mentor Hasanaj duke kaluar e ka ndjekur. Çdo gjë sipas tij ka ndodhur rastësisht dhe jo e përgatitur. Ilirjan Hasanaj pretendon se në momentin e atentatit ka qenë nën ndikimin e alkoolit.
“Unë e kam qëlluar shtetasin Mentor Hasanaj, por e kam bërë pa paramendim. Nuk kam qenë i parapërgatitur për një gjë të tillë. Thjeshtë e kam parë duke kaluar në rruge dhe i jam vënë mbrapa. Armën e kam patur me vete sepse ka pasur disa kohë që e kisha dhe nuk është se e kam marrë atë ditë. I jam vënë mbrapa dhe e kam qëlluar, por në ato momente kam qenë disi nën ndikimin e alkoolit. Thjeshtë e kam parë rastësisht teksa kalonte me makinë dhe e kam ndjekur në atë moment. Arsyeja e plagosjes lidhet me një problem pronësie tonën. Është një konflikt i vjetër pronësie mes nesh dhe unë këtë histori e kam dëgjuar nga babai dhe kur e kam parë në atë moment duke qenë edhe i alkoolizuar e kam ndjekur dhe e kam qëlluar, por nuk kam pasur një plan të përgatitur. Duke qenë drejtor më erdhi në mendje se mund të na pengonte tek pronësia, por çdo gjë ka qenë në atë moment”, mësohet të ketë thënë ai.
Përveç 19-vjeçarit në pranga është vënë edhe Verzan Bajrakurtaj si bashkëpunëtor në këtë ngjarje të rëndë. Sipas Ilirjan Hasanajt, Bajrakurtaj, i cili është edhe kushëri i tij, nuk ka pasur ide se çfarë ka bërë 19-vjeçari.
“Ndërsa kushëriri im nuk ka patur asnjë ide se çfarë kam bërë unë, por thjesht e kam thirrur duke i thënë që të më merrte sepse kisha nevojë, por pa i treguar arsyen. Ai nuk ka qenë aspak në dijeni të plagosjes. Unë jam penduar maksimalisht për çfarë kam bërë dhe për këtë fakt edhe jam vetëdorezuar në polici. Fillimisht kam qenë i tronditur dhe kisha frikë, por tani e kam kuptuar dhe jam shumë, shumë i penduar ndaj kam ardhur që ta pranoj çfarë kam bërë”, tha ai.
Ilirjan Hasanaj është personi që qëlloi në drejtim të kreut të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe në rrethrrotullimin e “5 Heronjve” në Shkodër, duke e lënë të plagosur atë së bashku me të atin 70 vjeç. Ai u vetëdorëzua të enjten në Policinë e Shkodrës.
19 vjeçari, i cili është djali i një ish-efektivi të policisë u identifikua nga rrobat dhe një celulari që ka lënë 500 metra larg vendit të atentatit bashkë me motoçikletën e vjedhur që përdori. Ai nuk ka precedentë penalë, por autoritetet dyshojnë se është përdorur si vrasës me pagesë.
Në momentin e ngjarjes në makinë së bashku me Mentor Hasanajn dhe babain e tij ndodhej edhe bashkëshortja e shefit të policisë bashkiake, e cila fatmirësisht u shpëtoi plumbave.
Ndërkohë Policia e Shkodrës njoftoi ditën e sotme se edhe pas dorëzimit të dy të rinjve vijon puna për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje./tvklan.al