ABC News
ka zbardhur kërkesën e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste për shkarkimin e Koço Kokëdhimës nga detyra e Sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin.
Në të thuhet se Kokëdhima prej disa mujash ka krijuar shqetësim në bazën e partisë dhe ka përdorur retorikë përçarëse, si dhe aktivitet vetjak të shkëputur nga veprimtaria e partisë.
“Mbështetur në Statutin e Partisë, Neni 18 “Detyrat e asamblesë”, Neni 22 “Masat disiplinore”, Neni 71 “Votëbesimi” si dhe në Rregulloren e AK “Për votëbesimin në parti”: Bazuar në faktet se Sekretari për Reformën Strukturore dhe Emigracionin Koço Kokëdhima, prej disa muajsh ka krijuar një shqetësim konstant në bazën e partisë me retorikën përçarëse dhe me aktivitetin vetjak të shkëputur nga kuadri i veprimtarisë së partisë, të përcaktuar nga Asambleja Kombëtare dhe Kryesia e Partisë Socialistë; Bazuar në nenet 18, 22 dhe 71 të Statutit të PSH si dhe në nenet 1, 2, 3 dhe 4 të Rregullores për Votëbesimin në Parti”, kërkojmë: Shkarkimin e Koço Kokëdhimës nga detyra e Sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin të PSSH¬së. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare”.
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste është mbledhur sot për të zgjedhur strukturat e saj.
Vetë Kokëdhima, i pyetur nga gazetarët për këtë kërkesë tha se nuk ishte në dijeni të saj. Sipas tij, kjo kërkesë nuk ka lidhje me përjashtimin nga partia, pasi Asambleja nuk mund ta shkarkojë si anëtarë.
“Nuk jam i informuar, por do të informohem dhe të përgjigjem në Asamble dhe do të shpjegoj qëndrimin tim. Shkarkimi im nga sekretar është një kërkesë po kjo nuk ka lidhje me përjashtimin nga partia. Asambleja nuk mund të më shkarkojë si anëtarë”.