Tre muaj pas vrasjes së 18-vjeçarit Aurelio Dervishi, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjykatë çështjen ndaj 4 të rinjve. Ata akuzohen për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 31 Marsit, rreth orës 20:45 pranë rrethrrotullimit të shkozës. Të akuzuarit kanë pikasur të riun, i cili ishte duke lëvizur me një mjet ‘Audi’, në shoqërinë e miqve të tij dhe të një vajze. Kjo e fundit sipas prokurorisë së Tiranës dyshohet se kishte pasur lidhje më parë me një nga bashkëpunëtorët në vrasje, 20-vjeçarin Frensis Shehu.
Për shkak të xhelozisë dhe duke menduar se po qeshnin me të, Shehu i ndoqi nga pas me makinë, duke i prerë rrugën. Në grindje e sipër ai i ka kërkuar njërit prej shokëve ta godasë me thikë Aurelio Dervishin. Në këto momente mes dy grupeve nisi konflikti fizik.
Nga kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor rezultoi se 18-vjeçari humbi jetën si pasojë e shokut hemorragjik traumatik nga plaga e marrë në kraharor me thikë.
Nga të dhënat e administruara Prokuroria thekson se tre të miturit dhe Frensis Shehu kanë kryer veprime aktive të kundraligjshme që konsistojnë në goditjen me sende të forta dhe me thikë.
Klan News