Zbulimi i një varreze masive në Malin e Dajtit është komentuar nga Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit të demokratëve.

Sali Berisha: “Në veri të Tiranës në afërsi të një reparti ushtarak janë gjetur trupat e 19 të ekzekutuarve me një plumb në kokë. Nuk dihet koha. Janë këto të grupit të deputetëve, janë këto të ekzekutuar pa gjyq, janë këto të vitit 90 dhe ngjarjeve të ambasadave, këtë do ta thonë analizat. Duhet të identifikohen nëpërmjet ADN-s”.

Në kuadër të kësaj ngjarje që sipas kreut të qeverisë duhet të shërbejë si një apel për shoqërinë shqiptare, z.Berisha tha, se ekzekutivi mbetet i vendosur për të vijuar me nismën që synon ngritjen e një institucioni apo task-force, me qëllim gjetjen e trupave të martirizuar sikundër tha ai nga sistemi më barbar i regjimit komunist. Kryeministri Berisha shkoi më tej kur tha se qeveria do të shpërblejë të gjithë ata që kanë dijeni për të vrarët, eshtrat e të cilëve ende nuk dihen se ku ndodhen nga familjarët.

Sali Berisha: “Ngritja e një institucioni apo e një  task-force, e cila të mund të gjejë trupat e të rënëve për liri dhe dinjitet njerëzor, për besimin tek zoti, besimin tek vendi, besimin tek vlerat, është e domosdoshme. Qeveria do të vendosë shpërblim për të gjithë ata që do të kontribuojnë dhe që kanë dijeni. Personi që gjeti do të shpërblehet edhe në këtë rast, për të mos i lënë në harresë ata që martirizuan për lirinë dhe vlerat e saj”.

Por zbulimi i varrit masiv në Malin e Dajtit ka shërbyer për të risjellë në vëmendjen e kryeministrit dhe ligjin për lustracionin, për të cilin z.Berisha u shpreh përpara deputetëve demokratë, se hedhja poshtë e tij u bë në konflikt të pastër interesi nga Gjykata Kushtetuese.

Ai tha se demokracia nuk mund të flejë  mbi varre, ndaj ftoi të zgjedhurit e djathtë që të votojnë në parlament Ligjin e Institucionit të Kujtesës Kombëtare, që synon të zbardhë sipas Kryeministrit të vërtetën e barbarive të regjimit komunist.

Sali Berisha: “Ligji i lustracionit në konflikt të plotë interesi u hodh poshtë, por pavarësisht nga ky gjykim demokracia mbi varre nuk mund të flerë. Në parlament zotërinj deputet keni ligjin për ngritjen e Institutit të Kujtesës Kombëtare, ju lutem ta shqyrtoni. Ky është një institut i ngjashëm me institutin çek, i cili synon të zbardhë të gjithë të vërtetën e barbarive të regjimit komunist”.

Gjatë mbledhjes së grupit, Kryeministri Berisha tha, se vënia në zbatim e këtij ligji ka ardhur si pasoje e interesimit të vetë familjarëve të të martirizuarve, eshtrat e të cilëve nuk digjen ende se ku prehen./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro