Në malin e Dajtit është zbuluar një varr masiv me të vrarë të regjimit komunist, që mendohet t’i përkasë viteve 70 të shekullit të kaluar.

Dalja në dritë e eshtrave të tyre u bë falë iniciativës private të një qytetari nga Tirana, që po kërkonte prej kohësh eshtrat e babait të tij. Pikërisht në këtë vend ka qenë një post ushtarake, e cila ka funksionuar deri në vitet ‘90, por tashmë ajo i ka kaluar në pronësi Komunës së Dajtit.

Sipas Xhaferr Bregasit roja e këtyre godinave disa muaj më parë janë kryer gërmime me një ekskavator të mbikëqyrura edhe nga disa persona që kishin punuar në Sigurimin e Shtetit, që atë kohë bënin sigurimin e perimetrit para ekzekutimit. Vetëm pas gërmimeve në muajin tetor-nëntor 2009 janë gjetur edhe tre trupat e parë, ku njeri i përkiste një gruaje.

Xhaferr Bregasi: “Ata vazhduan pastaj, pas kësaj vazhduan ditë me radhë duke kërkuar eshtrat dhe mesa di unë bile në një vend këtu ndodhet dhe vetë këtu afërsisht mbrapa ku po flasim, gjetën në një varr aty rreth 3-4 kufoma, që u vërtetuan nga këputë dhe nga kafkat e kokës, dhe çorapet najlon që ishin more vesh që ishin të pa dëmtuara”.

Nuk dihet ende përse eshtrat e future në qese kanë qëndruar disa muaj nën këtë zonë, për të përfunduar vetëm fundjavën e kaluar në morgun e Tiranës.

Sipas drejtorit të tij eshtrat janë sjellë atje nga Oficerë të Policisë Gjyqësore, por ekspertiza nuk mund të nisë ende pa patur një urdhër me shkrim nga prokuroria. Zona e Malit të Dajtit ku u zbuluan eshtrat njihet prej kohësh si një zonë ku janë ekzekutuar edhe shumë njerëz të tjerë në kohën e regjimit komunist.

Ndërkohë këtu rreth 6 vjet më parë janë zbuluar edhe shtatë skelete të tjerë, që i përkasin po kësaj kohe. Sipas dëshmive gjatë gërmimeve janë gjetur edhe sende personale të viktimave, si dhe shumë predha fishekësh të kalibrave të ndryshëm. /tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi