Varri masiv i zbuluar në Qerret të Tiranës ku flitej për 19 të vrarë nga regjimi totalitar risjell në vëmendje krimet monstruoze të intelektualëve të bëra gjatë 50 viteve të fundit në Shqipëri.

I tillë është edhe rasti i Murat Bashës i njohur ndryshe si komandat në shkollën e xhandërmarisë gjatë kohës së qeverisjes së Mbretit Zog, i pushkatuar më 7 qershor të ‘45 së bashku me 12 persona të tjerë nga sistemi totalitar, si tradhtarë ndaj atdheut.

Një histori që rrëfehet nga vetë nipi i tij, e qenësisht na tregon pinjolli i familjes së Bashajve, i vetmi kujtim nga ai kalvar varrimesh e zhvarrimesh të eshtrave të gjyshit, kanë mbetur këto pranga, që fituan lirinë pas 63 vitesh.

Murat Basha: “Ata e quajtën tradhtar, por si mund të quhet tradhtar një luftëtar i 7 prillit. Si mund të quhet tradhtar një luftëtar antifashist dhe antinazist. Si mund të quhet tradhtar një njeri i cili ishte dënuar nga fashizmi me vdekje në mungesë. Ekzekutimi i tij është bërë më 7 qershor të 1945. Këtu ne bregun e lumit Tiranë është pushkatuar vet i 13-të. Jam krenar, sepse ai ka vdekur duke kënduar himnin shqiptar. Mbasi pushkatohet gjyshi, im atë bashkë me një shokun e tij Daut Bylykun kanë shkuar dhe kanë marrë trupin e tij. E kanë çuar diku në Babrru, e kanë varrosur në një vend aty, por diku hapeshin toka, diku bëheshin ndërtime, e kanë varrosur dhe zhvarrosur disa herë, por të paktën këto pranga kanë fituar lirinë pas 63-64 vitesh”.

Por për vetë Murat Bashën, i cili mban emrin e gjyshit të tij i masakruar barbarisht nga regjimi komunist, drejtësia duhet të vihet në vend dhe ata që shkaktuan tragjedi të përmasave të tilla, ndonëse 50 vjet, duhet të dalin përpara ligjit.

Murat Basha: “Ata duhet të përndiqen penalisht. Do të vazhdoj të përsëris gjithmonë shembullin e Simon Vizentalit. Simon Vizentali është një hebre i cili i përndoqi kriminelët nazistë deri në fundin e botës edhe i mori i çoi para gjyqit, për të rivendosur në vend drejtësinë, për të rivendosur në vend moralin, po në Shqipëri kur do të rivendoset kjo e drejtë dhe ky moral? Njerëzit që i kanë bërë ato krime janë gjallë, janë rrugëve të Tiranës sot, kapardisen, bëjnë dhe karshillëk viktimave të tyre. Unë di që një anëtar i Gjykatës Kushtetuese sot dhe kjo është e turpshme ka dënuar Havzi Nelën me varje në litar dhe ky quhet Fehmi Abdiu, i cili s’duhet të jetë më në organet e drejtësisë së shtetit shqiptar”.

Kjo është një nga ato pakë histori të zbardhura, një nga ata të martirizuar, trupat e të cilëve metën në rrënojat e paranojës së atij sistemi, por që patën fatin të çlirohen nga këto pranga pas më shumë se 6 dekadash. Shumë e shumë të tjerë varret e të cilëve kanë mbetur ende mister të sekreteve të ish zyrtarëve të lartë të regjimit, presin kontributin e shoqërisë, për të dalë nga harresa e qëllimshme i cili i dënoi sistemi totalitar./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro